Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës lansoi raportin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, ku u tha se pozita e gazetarëve është përkeqësuar ndër vite. Ata ballafaqohen me sulme, kërcënime dhe kushte të rënda ekonomike.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkelqim Hysenaj në një konferencë për media, ku është publikuar ky raport, tha se janë identifikuar raste kur gazetarët kanë qenë viktima të dhunës.
“Gjatë vitit 2015 dhe 2016 ka pasur shumë raste kur gazetarët kanë qenë viktima të dhunës, gazetarët janë përballur me probleme sa i përket qasjes në dokumente publike, si dhe ka pasur ngecje të punës së institucioneve në raport me rastet e gazetarëve që potencialisht mund t’i kenë pasur nëpër gjykatë, ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e madhe e Asociacionit të Gazetarëve që t’i identifikoj këto raste, që t’i gjej të dhënat se ku janë këto procese, çfarë ka bërë prokuroria dhe çfarë kanë bërë gjykatat për t’i hetuar dhe për të parë se çfarë ka ndodhur në realitet, ne e dimë se institucionet kanë bërë shumë pak për zbardhjen e këtyre rasteve, në ndërkohë që kemi parë edhe një mungesë të vullnetit të qeverisë, të ministrive, të agjencive të ndryshme që të bashkëpunojnë me gazetarë, për të krijuar një klimë më të mirë për ushtrimin e profesionit të gazetarit”, tha Hysenaj.
Anëtari i AGK-së dhe hulumtuesi, Petri Çollaku tha se hulumtimi është bazuar tek legjislacioni vendor sa i përket mediave, pozicionin e gazetarëve në redaksi dhe një analizë bazuar në shumë statistika lidhur me sigurinë e gazetarëve.
“Një gjë që gazetarët theksojnë shpesh është se pozita e gazetarëve është përkeqësuar ndër vite, janë pa kontrata, në komunitetin e gazetarëve qarkullon një thënie që janë brenda me disa rroga, gazetarët që janë diku me 7-8 rroga që pronarët i kanë borxh disa rroga dhe ata janë në një gjendje të pasigurt“, ka thënë ai.
Sipas tij, gazetarët punojnë jashtë orarit dhe nuk kompensohen, dhe gjysma e gazetarëve të anketuar kanë thënë se pozita e tyre ekonomike është përkeqësuar ndër vite.
“Ankesat më të mëdha të gazetarëve kanë qenë se nëse dikush sulmohet apo kritikohet nga protalet që nuk ka fare pronar apo nuk ka as kontakte apo adresë, është një shqetësim i tyre është se nuk ke ku të ankohesh, janë pa pronarë, janë pa kontakte, janë të fshehur, mos të them se disa nga gazetarët kanë thënë se shumica e partive politike kanë nga një protal të cilët shfrytëzohen për qëllime të veta, për kundërsulme.. policia nga 2013 i regjistron rastet e gazetarëve të cilat i rapotojmë, janë 63 raste, ka pas më shumë, më shumë se gjysma e rasteve janë drejtuar në prokurori”, tha ai.
Në këtë konferencë është bërë publike edhe një platformë e cila iu mundëson gazetarëve të raportojnë për kërcënimet, sulmet apo çfarëdo problemi që kanë në vendin e tyre të punës.
Sipas raportit, ligji për qasje në dokumente publike vazhdon të jetë ligji që nuk respektohet nga institucionet shtetërore. Sipas anketës, 78% të gazetarëve kanë theksuar se institucionet shtetërore kanë refuzuar t’u japin qasje atyre në dokumente publike, të nevojshme për raportimin e tyre. Gazetarët e anketuar thonë se Kuvendi i Kosovës është më i hapur, ndërsa, qeveria është më e mbyllur.
Raporti rekomandon partitë politike që të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit në transmetuesin publik. AGK rekomandon po ashtu që Kuvendi i Kosovës duhet të gjejë një zgjidhje të duhur financiare për RTK-në.
Ky raport paraqet rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit rajonal “Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për avokim për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve”, i cili zbatohet nga asociacionet kombëtare të gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
Raporti është pjesë e projektit rajonal ku janë të përfshira pesë shtete nga rajoni. Raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” është kryer në bazë të analizave cilësore të dokumenteve, intervista cilësore me 14 individë – shumica gazetarë, anketa me 50 gazetarë dhe në bazë të dhënave zyrtare statistikore./KosovaPress/