Aktuale

Kosova nuk është keq sa i përket mbrojtjes së fëmijëve, kërkohet zbatimi i ligjeve për ta

Kosova ka arritur rezultat të lartë sa i përket politikave dhe legjislacionit të krijuar, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ndërkohë që zbatimi i politikave për parandalimin e trafikimit dhe dhunës në familje mbesin shumë të kufizuara. Kështu u tha në lansimin e  “Indeksit për mbrojtjen e fëmijëve”, ku Kosova renditet e katërta, nga nëntë shtete sa i përket mbrojtjes së fëmijëve.

Sipas rezultateve të Indeksit për Kosovën,  vendi po ecën relativisht mirë, në sektorin e qeverisë dhe koordinimit të përpjekjeve të saj për mbrojtjen e fëmijëve. Ndërsa është e nevojshme të punohet  më shumë në ndërtimin e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve, pasi që Kosova  ne nivel legjislacioni qëndron shumë më mire se zbatimi i saj.

Kryeministri   Isa Mustafa  tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, është në qendër të prioriteteve të Qeverisë që ai drejton.

Ai tha se fëmijët e Kosovës kanë të drejtë të gëzojnë gamën e plotë të të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë  dhe nga Konventa Evropiane. Sipas tij legjislacioni pozitiv i Kosovës, është në përputhje me standardet ndërkombëtare, e që njëherit reflekton dhe zotimin e institucioneve të Kosovës, për realizimin e të drejtave të fëmijëve,  karshi këtyre standardeve.

Mustafa më tej tha se duke pasur parasysh që 60 përqind e popullatës së Kosovës konsiderohet të jenë fëmijë dhe të rinj, Qeveria është e përkushtuar dhe po bën përpjekje në gjetjen e modaliteteve me të mira, që mundësojnë rritjen e investimeve financiare, në mënyrë që shërbimet që ofrohen për fëmijë të jenë të qëndrueshme.

 

“Ky indeks konsideroj se do të ndikojë në lehtësimin e planifikimit të veprimeve dhe politikave të institucioneve qeveritare dhe aktereve tjerë,  për adresimin dhe tejkalimin e vështirësive me të cilat mund të ballafaqohemi. Mund të them se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkret për vendosjen e fëmijëve  në qendër të prioriteteve. Kabineti qeveritar në maj të këtij viti ka miratuar projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve i cili ka për qëllim të mbrojtjes së fëmijëve, sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjeve dhe shtetit dhe integrimin e tyre në sistemin e mbrojtjes. Ka siguruar një vështrim dhe kompletim mjaftë të gjere“, tha ai.

Ndërkaq Natalya Apostolova, shefe e zyrës së BE-në në Kosovë tha se mbrojtja e fëmijëve është objektivë kyçe e BE-së. Ndërsa tha se Kosova duhet të bëjë më shumë përmes politikave dhe alokimit të buxhetit adekuat, për mbrojtjen e fëmijëve

 

“ Mbrojtja e të drejtave te fëmijëve është objektiva kyçe e BE-së. …duhet të merren veprime konkrete sa i përket keqpërdorimit të fëmijëve, që të sigurojmë të drejtat e fëmijëve si qasja në shërbimet shëndetësore dhe edukative sa më të mira.. Ne kemi parë përmirësime në kornizën ligjore për mbrojtjen e  të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mendojmë se duhet të bëhet më shumë përmes politikave dhe alokimit të buxhetit adekuat për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ajo.

Ndërkaq ambasadorja e Gjermanisë në  Kosovë Angelika Viets  tha se çdo herë kur dështohet të mbrohet një fëmijë,  dështon edhe  shoqëria.

Ambasadorja gjerman inkurajoi institucionet e Kosovës, që t’i  ndërtojë kapacitetet e kërkuara, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

 

“Edhe në Kosovë fëmijët janë ekspozuar ndëshkimeve fizike, keqpërdorimeve dhe dhunës edhe pse gjer më tani nuk kemi një fotografi të qartë për gjendjen reale. …Në krahasim me shtetet tjera ku është implementuar ky Indeks,  e shohim se Kosova është në mesin e kësaj tabele, që është mjaft inkurajuese. Por ende ka gjëra që Kosova duhet t’i  përmirësojë sa i përket mbrojtjes më të mirë të fëmijëve .Në përgjithësi Kosova ka ligje shumë të mira dhe një koordinim mjaft solid mes institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve,  por ka mangësi të shumta në ofrimin e shërbimeve, kapaciteteve dhe llogaridhënieve”, tha Viets.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë James Mugaju, tha se investimi në fëmijë, është investim në të ardhmen e Kosovës. Por sfidë sipas tij mbetet implementimi i kornizës ligjore ekzistuese.

 

“ Ne e dimë që korniza ligjore e Kosovës, në bashkëpunim me BE-në tregon se Kosova është një ndër vendet më të mira në këtë fushë. Por sfidë mbetet  implementimi i kornizës  ekzistuese ligjore….Por  demonstrimi dhe përkushtimi i politikave, që  përkthehet në praktikë në ofrimin e shërbimeve, është sfidë të cilën e ka Kosova ka përpara. Duhet së bashku të diskutojmë se si politikat e tanishme t’i transmetojmë në politikat dhe praksat për mbrojtjen e fëmijëve. Investimi në fëmijë është investimi në të ardhmen e Kosovës. Është gjëja e duhur që duhet bërë“, tha ai.

Ndryshe  rekomandimet e dala nga Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijëve,  janë që të rishikohet korniza ligjore dhe që të shkurtohet periudha e paraburgimit në maksimum gjashtë muaj në rastin e fëmijëve.

Rekomandohet që Kosova të fillojë me trajnime dhe fushata vetëdijesimi,  për t’i përkujtuar zyrtarët shtetëror  dhe profesionistëve detyrën e tyre,  për të raportuar situata të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve. Ndërkaq ndër fushat që ka dal me keq  Kosova është sa i përket punës së fëmijëve në rrugë dhe  trajtimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku Kosova renditet e teta nga nëntë shtete pjesëmarrëse.  /KP