Këtë shtator shënohet përvjetori i 18 i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si për çdo amerikan, edhe për vendet tjera demokratike, imazhet tronditëse, tmerri dhe trishtimi i asaj dite janë ende të gjalla. E shteti i Kosovës në përkujtimit të rreth 3 mijë viktimave të kësaj tragjedie, ka vendosur të ndërtojë një obelisk në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
11 shtatori gjithmonë sjellë në mendje sulmin terrorist mbi Kullat Binjake që kishte ndodhur në vitin 2001 në New York. Çdo përvjetor shënohet me tingëllimat e kambanave dhe duke lexuar emrat e gati 3 mijë personave që humbën jetën nga sulmi terrorist i “Al Kaedës”.
Në nderim e përkujtim të rreth 3 mijë viktimave të kësaj tragjedie, tashmë është vendosur dhe do të ndërtohet një obelisk në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Për ndërtimin e obeliskut edhe është hapur tenderi me vlerë prej 15 mijë euro, shkruan FaktePlus.
Obelisku i cili do të vendoset në oborrin e Qeverisë së Kosovës, do të ketë mbishkrimi “Kosovo Remember”, “Kosova Kujton”.
Në përshkrimin e dosjes së tenderit thuhet se fillimisht do të bëhet gropimi i bazës (heqja e humusit 4 m3), armimi i themelit me nyje të dyfishta për mundësinë e përballimit të peshës mbi të, vendosja e fibrave të karbonit për konektimin e plakës së mermerit me bazamentin, pllaka masive e mermerit jo gëlqeror calacata, më pas do të bëhet vendosja e shkronjave gold.
Më poshtë sjellim edhe fotografitë se si është paraparë të realizohet ky projekt.
Ndërkaq, specifikohet se meqenëse po afrohet 11 shtatori, në të cilën ditë është planifikuar të bëhet edhe përurimi i obeliskut, udhëheqja e tenderimit me afate të rregullta kohore nuk iu mundëson përfundimin e punëve në afatin e parashikuar. Kështu tenderi do të jetë i hapur deri më 15 gusht.
Ngjarja e trishtuese e 11 shtatorit 2001
Nga sulmet e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Vetëm në Kullat Binjake ishin 2 752 viktima, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Në tragjedinë e 11 shtatorit, gjetën vdekjen dhe tre shqiptarë që në momentet e shpërthimit të dy kullave binjake, gjendeshin në mjediset e tyre. Ata janë shënuar në memorialin kushtuar 2572 viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit në Amerikë. Shqiptarët viktima të këtij atentati janë Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj.
Këto kanë qenë sulmet më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane, pas të cilave asgjë nuk ishte njësoj si më parë në SHBA, por edhe në botë.
Pas këtyre sulmeve, zemërimi u derdh mbi “Al Kaedën”. Shtetet e Bashkuara reaguan duke nisur luftën ndaj terrorit dhe pushtuan Afganistanin. Edhe pse fillimisht udhëheqësi i “Al Kaedës” mohoi përfshirjen, në vitin 2004 mori përsipër përgjegjësinë për sulmin.
Pasi qëndroi në arrati për më shumë se një dekadë, Bin Laden u vra në Pakistan nga një skuadër speciale e marinsave amerikanë. Ndërkohë, shumë vende të tjera forcuan ligjet antiterror pas 11 shtatorit dhe zgjeruan kompetencat e agjencive ligjzbatuese dhe atyre të zbulimit, me qëllim që të parandalonin sulme terroriste të mundshme./FaktePlus