Këshilli për Bashkëpunim Rajonal prezantoi sot Dokumentin programor 2017-2019, ku është konsultuar me ministritë e linjës së Qeverisë për prioritetet dhe të arriturat të cilat janë në këtë Dokument.
Në këtë konferencë rajonale u tha se Kosova dhe Qeveria e saj kanë përmbushur projektet e këtij Dokumenti 77 përqind në nivel rajonal.
Valentina Ivaniq, eksperte në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, tha se Kosova ka shënuar rezultate në Bruto Produktin Vendor, ndërsa tha se nuk qëndron mirë me tregtinë ndër rajonale.
Ajo tha se tregtia ndër rajonale e Kosovës i është afruar vetëm për 2 përqind e arritjes së targetit, që është nën mesataren rajonale. Kurse, Bruto Produkti i Brendshëm për persona të punësuar i është afruar për 47përqind arritjes së targetit në krahasim me rajonin e Evropës Juglindore, dhe sipas Ivaniq, kjo është mbi mesatare.
Ajo ndër të tjera theksoi se për numrin e personave të punësuar nëpër poste të ndryshme, Kosova nuk ka të dhëna për kualifikimin e këtyre zyrtarëve, dhe sipas saj, ky është një problem serioz. Ajo ka sugjeruar prej kësaj konference që të fokusohen institucionet përkatëse në mbledhjen e këtyre të dhënave.
“Sa për shkallën e punësimit ekonomia e Kosovës është 70 përqind më afër arritjes së targetit në krahasim me ekonomitë e tjera në regjion, për të mirë. Dhe sa për efikasitetin e Qeverisë e cila është e lidhur me aftësinë e Qeverisë për të krijuar parakushtet e domosdoshme për reforma ekonomike, Kosova është 77 përqind më afër arritjes së targetit që është e mrekullueshme në krahasim me regjionin Juglindor të Evropës dhe ekonomitë e tjera në regjion. Gjithashtu mund ta shihni lidhur me progresin e Evropës Juglindore, se Kosova ka arritur rezultate më të mira në tri targetet: GDP për person të punësuar, eksportin e të mirave dhe shërbimeve dhe në fund efikasitetin e qeverisë”, tha Ivaniq.
Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami në fjalën e saj vlerësoi lart bashkëpunimin me Këshillin Rajonal për Bashkëpunim ku janë shënuar, sipas saj, të arriturat në implementimin e Dokumentit. Bajrami tha se është një lajm i mirë që Qeveria ka përmbushur 77 përqind të këtij targeti vlerësuar me rajonin.
Ajo ka arsyetuar se tregtia rajonale nuk ka pasur rezultate për shkak të disa barrierave me vendet fqinje që kanë aplikuar në kufi ndaj Kosovës. Ndër tri fokuset kryesorë të këtij dokumenti konkurrueshmëria, aftësia dhe lëvizshmëria dhe konektiviteti.
Bajrami, tha se aktivitetet e ndërlidhura me programin e këtij Dokumenti do të përqendrohen në tri fusha kryesore, që janë aftësitë dhe lëvizshmëria, konktivitetei dhe konkurrueshmëria. Tri këto fusha, sipas ministres janë të një rëndësie të madhe për të gjitha ekonomitë rajonale si dhe synimet e tyre mbesin për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Tek tregtia ndër-rajonale nuk qëndrojmë mirë, kjo ndërlidhet shumë së pari me barrierat tregtare të cilat ne i kemi si Kosovë me vendet e tjera. Jemi detyruar disa herë të marrim masa edhe ekstreme në mënyrë që të zgjidhen këto barriera tregtare. Mirëpo, kjo lidhet ngushtë edhe me konkurrrueshmërinë, ku ndërmarrjet tona duhet prodhojnë produkte me shërbime kualitative në mënyrë që ato të depërtojnë në tregjet e vendeve të rajonit”, tha ministrja Bajrami.
Ekspertja në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, Mimika Dobroshi, tha se Strategjia ka për qëllim zhvillimin ekonomik, në të cilën bëjnë pjesë: tregtia e jashtme, zhvillimi i sektorit të arsimit dhe ulja e papunësisë.
“Ideja e zbatimit të strategjisë e cila për objektivë kryesore ka zhvillimin ekonomik. Kështu që janë pesë shtyllat e saj, të cilat janë shumë të fokusuara nga tregtia e jashtme e integruar deri te zhvillimi I arsimit, ulja e papunësisë, qeverisja e mirë si pjesë horizontale”, theksoi Dobroshi.
Gazmend Turdiu sekretar gjeneral në këtë Këshill nuk pati një lajm të mirë për të pranishmit, sepse sipas tij, fondet janë shkurtuar për projekte të programit zhvillimor nga Bashkimi Evropian, për shkak të përpalljes me situata jo të lehta ekonomike.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është një organizatë, e cila promovon bashkëpunimin e ndërsjellë të vendeve të Evropës Juglindore(Kosova, Mali i zi, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia), me qëllim zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve si dhe për integrimin e vendeve në strukturat e Bashkimit Evropian. /I. Shabani/KP