Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 50 mijë eurosh për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët janë goditur nga vërshimet më 6 dhe 7 gusht.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se nga vërshimet në Maqedoni janë goditur edhe pjesë të lokaliteteve të banuara me shqiptarë.
“Në shenjë solidarizimi dhe në frymën e fqinjësisë së mirë, Kosova duhet ta ndjek shembullin e mirë në rajon dhe të ndajë mjete prej 50 mijë euro”, tha Hoxhaj.
E kryeministri i Kosovës Isa Mustafa foli dhe për takimin vjetor të bizneseve të diasporës, që do të mbahet në SHBA. Ndërsa tha se meqenëse ka shumë ftesa, nuk duhet të shkojnë atje dhe as në takime tjera jashtë vendit, numër i madh i ministrave, pasi që me këtë po devalvohen vet ministrat dhe Qeveria.
Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e 80 mijë euro për shlyerjen e obligimeve për vitin 2015 dhe 2016, për kryerjen e obligimit financiar të Qeverisë së Kosovës në këshillin për bashkëpunim rajonal me seli në Sarajevë. Qeveria sot ka miratuar dhe projektligjin për akreditim./rtk/





















