Aktuale

Kosova e shënon ditën e boshnjakëve

Zyra e kryeministrit të Kosovës pwrmes një tryezë e ka shënuar ditën e boshnjakëve të Kosovës, ku u tha se populli shqiptar e ndanë një pjesë të historisë me komunitetin boshnjak.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu tha se bashkëjetesa me komunitetin boshnjak në vendin tonë është histori e krenarisë.

 

“Gjithë ne po e shënojmë me respekt këtë festë e cila e respekton edhe historinë tonë të përbashkët. Prandaj besoj se ne kështu do të vazhdojmë traditën e begatshme të vendit tonë në të cilin jetojmë bashkërisht, diversitetin kulturor, diversitetin etik dhe fetar. Jemi të gjithë të angazhuar që këtë diversitet ta forcojmë dhe ta mbajmë në vazhdimësi. Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona e krenarisë së plotë ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe të keqen, është një histori e cila është me shumë mundime por një histori e cila është e lavdishëm dhe shumë e dinjitetshme. Për më shumë mund të them se historia e boshnjakëve të Kosovës është sistem i ndërtimit të urave tona të përbashkëta, urave pa urrejtje dhe pa përjashtime. Andaj unë konstatoj se kjo festë nuk është vetëm festë e boshnjakëve, është festë e gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.

Kurse ministri pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri, tha se si të gjitha komunitetet në Kosovë që e shënojnë ditën e tyre, këtë ditë sot po e shënon edhe komuniteti boshnjak.

 

“Siç është cekur të gjitha komunitetet e kanë ditë e vet dhe e shënojnë si ditën e komunitetit e vet me manifestime dhe aktivitete të ndryshme për promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës. Kjo është festë nacionale e boshnjakëve e cila shënohet që nga viti 1998 ndërsa në Kosovë njihet si dita e boshnjakëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Edhe ministri i Administratës Publike i cili vjen nga radhët e komunitetit turk në Kosovë, Mahir Yagcilar, tha se Kosova që nga paslufta e sidomos nga shpallja e pavarësisë së vendit i ka respektuar të gjitha komunitetet.

 

“Besoj që Kosova krenohet me këtë ditë sepse është dita e të gjithë neve dhe kjo ditë është mundësi që të kremtohet natyrisht dhe të shihet se respektohet komuniteti boshnjak por edhe institucioneve të Kosovës ndaj një komuiniteti të caktuar. Tash e 17 vjet por edhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës i është dhënë rëndësi dhe hapësirë të gjitha komuniteteve të Kosovës në këtë rast edhe komunitetit boshnjak”, është shprehur ai.

Fjalë falënderimi kanë shprehur edhe një numër i madh i përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të cilët vijnë nga radhët e këtij komuniteti./KP/