Aktuale

Kosova e gatshme të përballet me virusin, ja masat mbrojtëse

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ishte thënë se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetërorë e institucionalë në rast tëparaqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 30 janar ka shpallur gjendjen emergjente globale për shkak të koronavirusit. Numri i të vdekurve nga ky virus ka shkuar në 305, derisa rreth 12 mijë persona janë të prekur me të.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ishte thënë se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetërorë e institucionalë në rast tëparaqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë. Nga ky institut janë shprehur të gatshëm për ta menaxhuar situatën në rast se qytetarët preken me koronavirusin. Edhe mikrobiologu Lul Raka ka deklaruar se institucionet shëndetësore në Kosovë janë të gatshme të përballen me këtë virus me kapacitetet ekzistuese.

Ai ka përmendur edhe disa masa parandaluese, të cilat duhet të merren për t’u mbrojtur nga ky virus. “Epidemitë e tilla mbase do t’ua rikujtojnë qeverive dhe koalicioneve të të gjitha ngjyrave në vendin tonë të lodhur se shëndetësia duhet të jetë prioritet para asfaltit. Masat parandaluese të virusit fillojnë me kontrollin e hyrjes së udhëtarëve nga vendet e prekura, për t’u pasuar nga identifikimi i shpejtë i rasteve, diagnoza e hershme e sëmundjes, izolimi i pacientëve të sëmurë, gjurmimi i kontakteve të të sëmurit dhe masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve”, ka potencuar ai.

Ndërkaq masat kryesore individuale për parandalimin e sëmundjes sipas tij janë: higjiena e duarve, mbulimi i gojës dhe i hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, shmangia e kontaktit me çdokënd që ka simptoma të ftohjes dhe të gripit dhe lajmërimi te mjeku nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Përndryshe, Raka ka thënë se nuk do të marrë shumë kohë zbulimi i një vaksine kundër koronavirusit, pasi që, sipas tij, puna në vaksinë ka filluar në ditën kur është dhënë profili gjenomik i virusit. “Gjatë epidemisë së fundit të SARS-it më 2003-n shkencëtarët mbërritën ta kenë gati vaksinën për testim klinik brenda 20 muajsh. Sot zhvillimi bioteknologjik ka ulur në minimum këtë komponentë dhe kjo fazë sot mund të shkurtohet në vetëm 16 javë. Megjithatë, në rrugën drejt përdorimit praktik të vaksinës mund të ketë sfida të ndryshme, të cilat nganjëherë janë të paparashikueshme”, ka përfunduar ai./Zëri.

the authorGazetaKNN