Aktuale

Kosova dhe Maqedonia me mbledhje të përbashkët në mes dy qeverive

Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët në mes të dyja qeverive, ku do të ndërmarrin veprime konkrete për lehtësimin e kalimit të kufirit ndërmjet dy shteteve.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhjeje do të synohen projekte të përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të shikohet mundësia e krijimit të pikave të përbashkëta doganore.

Këto ishin disa nga temat e takimit, të cilat u diskutuan në takimin në mes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike ishte një çështje tjetër, për të cilën të dyja palët kanë theksuar si të rëndësishme.

Në ndërkohë, sa i përket vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë përkitazi me anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, pritet që Maqedonia t’i përmbahet dhe të veprojë në linjë me vendimin e saj për njohjen e Kosovës.