Arsim & Kulturë

Kosova dhe Maqedonia me konkurs të përbashkët për kërkime shkencore

Ministri i Arsimit i Kosovës, Arsim Bajrami ka pritur në takim ministrin e Arsimit të Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, me të cilin diskutuan për bashkëpunime të ndryshme në fushën e arsimit.

Ministri Bajrami tha se në takim kanë diskutuar për bashkëpunimin akademik, pasi që, sipas tij, tashmë është formuar edhe universiteti më i ri në Shkup “Nënë Tereza”, i cili ka nevojë për ndihmë të stafit akademik.

“Po ashtu me ministrin biseduam që t’i shtrijmë universitete tona që të bashkëpunojnë sa më shumë në magjistraturë dhe doktoraturë, sepse duhet të krijojmë një liberalizëm të plotë të Maqedonisë dhe Kosovës, dhe duhet tani kur është liberalizuar kufiri dhe kalohet me një letërnjoftim, dhe kur po përfundon autostrada, që edhe studentet tanë të shkojnë atje dhe të punojnë në projekte të përbashkëta të doktoratës dhe magjistraturës. Tani e kemi atje universitetin e Tetovës, një universitet i konsoliduar, mjaft i madh, Universite ti i Evropës Juglindore dhe nga ky vit e kemi edhe universitetin Nëna Terezë në Shkup, një universitet shqip që do të na mundësoj të kemi programe të përbashkëta të doktoratës ku profesorët e Kosovës dhe Maqedonisë do të bashkohen në projekte të përbashkëta. Biseduam edhe për bashkëpunimin në arsimin para universitar sidomos në arsimin profesional dhe në mënyrë të veçantë u morëm vesh që të shpallim konkursin e përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë për projektet e përbashkëta kërkimore shkencore”, ka thënë ministri Bajrami.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit të Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, tha se bashkëpunimet në nivelet arsimore në të gjitha kategoritë, mes Kosovës dhe Maqedonisë, do të rriten dhe thellohen.

“Ashtu siç e theksoi edhe ministri Bajrami ne kemi diskutuar për çështjet arsi more, shkencore. Dy marrëveshje veç se janë bërë, një në Vlorë dhe një në Manastir, dhe ne do të punojmë për jetësimin e këtyre marrëveshjeve. Kemi diskutua për harmonizimin dhe racionalizimin e programeve studimore, definimin e projekteve, shkëmbimin e përvojave. Po ashtu ramë dakord për hapjen e disa granteve të cilët do të jenë një stimul i madh për studentët. Po ashtu e informova ministrin për universitetin e ri, universitetin Nëna Terezë dhe në këtë aspekt me siguri do të na duhet edhe ndihma e Kosovës për shkak se është universitet i shkencave teknike dhe Kosova ka përvojë në këto shkenca”, tha ministri nga Shkupi. /KosovaPress/