Aktuale

Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për bashkëpunim kulturor

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Malit të Zi kanë nënshkruar të premten një marrëveshje kulturore, e cila i rregullon raportet kulturore ndërmjet dy vendeve dhe e konkretizon këtë bashkëpunim.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e kulturës të dy vendeve, Kujtim Shala dhe Janko Ljumoviq, në praninë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Mali i Zi, po ashtu, do të angazhohen në promovimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të tyre përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për fusha të tilla si: arkivat, bibliotekat, muzetë, letërsinë, muzikën, artet pamore dhe performuese, veprimtaritë botuese, kinematografinë dhe mediat e tjera audiovizuale.

Po ashtu, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushën e muzikës dhe vallëzimit, shkëmbimit të informacionit dhe ftesave reciproke për muzikë, balet, vallëzim dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare të mbajtura në territorin e vendeve të tyre, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media.