Aktuale

Kosova dhe Jordania thellojnë miqësinë, duke shkëmbyer përvojat

Me ftesë të Institutit KLGI, nën koordinimin e drejtorit ekzekutiv Besnik Tahiri, ministri i Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Jordanisë, Salameh Hammad, po qëndron në Kosovë, ku është takuar me krerë të institucioneve të vendit.

Siç njoftoi Instituti KLGI, qëllimi i kësaj vizite studimore është njohja dhe familjarizimi me praktikat e mira në fushën e reformave institucionale, angazhimin dhe përpjekjet institucionale në ofrim të shërbimeve cilësore, si dhe procesin e decentralizimit dhe funksionimit të qeverisjes lokale në Kosovë, transmeton KosovaPress.

Fillimisht ministri jordanez Hammad, është takuar me homologun e tij, Skënder Hyseni, ku në fokus të diskutimit ishte progresi që ka bërë Kosova dhe ministria përkatëse përmes shërbimeve nëpër Komuna, duke vendosur standarde të larta të funksionimit. U fol po ashtu edhe për shkëmbimin e përvojave dhe sferat tjera që lidhen me shërbimet dhe sigurinë me theks në nivelin lokal. Jashtë agjendës nuk mbetën edhe çështjet e përgjithshme të sigurisë dhe sfidat globale në këtë fushë.

Ministri jordanez është pritur edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer që të dy shtetet kanë midis tyre, si dhe për mundësitë që mund të shfrytëzohen për zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

Kryetari i Kuvendit theksoi përkushtimin e Kosovës për të forcuar më tej partneritetin me Jordaninë, si dy vende mike, në dobi dhe interes reciprok.

Përderisa delegacioni jordanez prezantoi përpjekjet e Mbretërisë së Jordanisë në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe decentralizimit pas adaptimit të dy ligjeve. Në fokus ishte edhe thellimi i bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dyja vendeve.

Pas takimit me kryeparlamentarin Veseli, ministri i Brendshëm jordanez Hammad, është pritur në takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa, tregoi përkushtimin që ka qeveria në funksion të avancimin strategjik dhe ekonomik qoftë nëpërmes përkrahjes direkte për nivelin lokal, avancimin e politikave dhe programeve.

Në takim u theksua se Kosova ka vullnet të shpërndajë praktikat e mira dhe të rrisë bashkëpunim në shumë fusha.

Pjesë e delegacionit janë edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare USAID dhe NDI në Jordani që angazhohen në përkrahje të qeverisë Jordaneze në reforma.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë që i kishte bërë ministri i Brendshëm i Jordanisë Salameh Ahmmad, ka vizituar edhe Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), i cili ka parë elementet që ka marrë Kosova në procesin e decentralizimit.

Besnik Tahiri drejtor ekzekutiv i KLGI-së tha se ky takim ka bërë që bashkëpunimi me Jordaninë po forcohet edhe më shumë karshi raportit të kërkesave që ka Kosova në organizatat ndërkombëtare.

“Përshtypjet e ministrit janë të kënaqshme, pasi që kishim edhe vizita me lider të rëndësishëm të shtetit, udhëheqës të komisioneve, por kjo nuk do të përfundon me kaq sepse do vizitojmë edhe disa komuna për të parë nga afër procesin e zhvillimit të Kosovës”, tha Tahiri./KosovaPress/