Aktuale

Kosova dhe Austria me plan veprimi për marrëdhëniet dy-palëshe

Kosova dhe Austria do të kenë një plan veprimi dy-palësh me qëllim të thellimit dhe zgjerimit të mëtejmë të marrëdhënieve dy-palëshe.

Kjo u bë e ditur nga takimi i zhvilluar në mes Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ambasadorit të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Në kuadër të këtij takimi të kurtuazisë, janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve me zotime të dy-anshme për ngritjen e mëtejme të nivelit të bashkëpunimit dhe me shtrirje gjithëpërfshirëse.

Meqenëse ishte takimi i parë, prej kur Pacolli është përgëzuar nga Ambasadori Pfandler për pranimin e detyrës, ai i ka dorëzuar letrën e urimit Ministrit të Jashtëm Pacolli edhe nga homologu i tij, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, njofton MPJ përmes një njoftimi për media.

“Austria do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme që po kalon vendi, duke përfshirë liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata Ndërkombëtare si dhe avansimin e agjendës evropiane”, thuhet në letrën e Ministrit austriak. /KosovaPress/