Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett përmes Twitter-it, ka zgjedhur që sot të flasë për sundimin e ligjit në Kosovë duke dhënë edhe disa kritika në këtë fushë, raporton Gazeta Express.
Kosnett ka shkruar se e mirëpret caktimin e tri seancave gjyqësore për çështjen e veteranëve të luftës, duke e cilësuar si një hap përpara për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Është mirë të shohësh që janë caktuar tri seanca gjyqësore radhazi në dhjetor për çështjen e mashtrimit me pensione nga veteranëve të luftës- një hap përpara për rolin e drejtësisë në Kosovë.” ka thënë Kosnett i cili poashtu e ka vlerësuar lartë çështjen e moszvarritjes së këtij procesi.
“Qytetarët meritojnë një gjyqësor që i merr parasysh rastet në kohën e duhur, pa pasur javë ose muaj ndërmjet seancave”, ka shkruar ambasadori amerikan.
Konsett ndërkaq ka pasur kritika sa i përket dështimit të gjykimit në rastin Toka, duke e vlerësuar si performancë zhgënjyese nga gjykatat.
“Është zhgënjyese performance e dobët e gjykatës që bëri që të pandehurit që janë nën kujdestarinë e shtetit të mos ishin të pranishëm në seancën e fundit të rastit Toka. Respektimi i sundimit të ligjit nënkupton respektimin e procedurës”, ka shkruar ai./GazetaExpress/