Aktuale

Korrupsioni ende mbetet problem serioz për Kosovën

Korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha në Kosovë dhe se mbetet një problem serioz. Kështu u tha në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka inkurajuar të pranishmit, që të flasin hapur dhe së bashku të angazhohen në kuadër të këtij këshilli, për të forcuar komunikimin, koordinimin dhe bashkëpunimin në luftën kundër korrupsionit.

Ai ka theksuar se përgjatë këtyre viteve të ekzistencës si shtet, institucionet e Republikës së Kosovës me mbështetjen e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë,  kanë ndërmarrë iniciativa dhe veprime, me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

Thaçi ka përmendur edhe sfidat që janë para institucioneve të Kosovës për arritjen e rezultateve të prekshme në forcimin e sundimit të ligjit.

Ai ka thënë se parandalimi dhe luftimi i korrupsionit është kusht i pashmangshëm jo vetëm në integrimet euro-atlantike por edhe në krijimin e një klime të sigurt për investime.

Megjithatë tha se fakti se kemi edhe vlerësim real dhe kritik, për sfidat me të cilat ballafaqohemi, nuk duhet të shfrytëzohet nga askush për të bllokuar perspektivën e qytetarëve të Kosovës. Thaçi ka theksuar se Kosova ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërsa e quajti të padrejtë qasjen e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave.

 

“ I referohem qasjes jo të drejtë të Bashkimit Evropian, që në mungesë të vullnetit politik, për të mundësuar lirinë e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës, vazhdimisht  thirret në nevojën për zbatimin e kritereve, të cilat, jo vetëm që nuk janë zbatuar nga vendet të cilave u janë liberalizuar vizat, por as nga një pjesë dërmuese e vendeve anëtare të BE-së. Kosova ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sikurse çdo vend tjetër do të vazhdojë ta fuqizojë këtë luftë dhe më tutje. Por çdo kushtëzim i mëtutjeshëm i këtij angazhimi me vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, do të dëmtojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndoshta BE-ja nuk është duke u mërzitur fare për kredibilitetin e saj në Kosovë . Por  kam frikë se kjo qasje injoruese nuk do të kalojë pa paso ja negative”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se perceptimi për korrupsionin, është shumë më i madh se sa që ekziston në realitet.  Ndërsa tha se në fushën e zbatimit të ligjit gjatë këtyre dy viteve janë suspenduar mbi 50 zyrtarë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për shkelje të detyrës zyrtare, ose për dyshime të ndryshme.

 

“Gjatë këtyre viteve kemi punuar me përkushtim të plotë që të zbatojmë ligjin dhe të eliminojmë korrupsionin. Mirëpo kam përshtypjen se për aq sa ne kemi punuar dhe jemi përkushtuar për këtë, për aq edhe janë rritur edhe perceptimet lidhur me prezencën e korrupsionit në shoqërinë tonë. Prandaj  i kësaj gjëje mund të jetë dhe raporti i fundit i Transparency Internacional, i cili mund t’i ketë edhe dy fytyra mjaft të kundërta për Kosovën. Njëra është se Kosova qëndron mirë, përkatësisht dhe gati nga të gjitha vendet e BE-së. Dhe më së miri nga vendet tjera në rajon sa i përket kushtëzimit të qytetarëve në korrupsion dhe e dyta që qytetarët e Kosovës e shohin korrupsionin si problemin më të madh dhe se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për ta luftuar korrupsionit që shihet se ka dallim shumë të madh ndërmjet perceptimit dhe ballafaqimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me korrupsionin”, tha ai.

Por për përfaqësuesin e zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi korrupsioni në Kosovë nuk është vetëm  çështje perceptimi, por është  prezent dhe paraqet problem serioz.

 

“ Korrupsioni është akoma shumë prezent ne shumë fusha  në Kosovë dhe se është problem serioz. Kosova duhet të  forcojë pozitën e vet në luftimin e korrupsionit dhe duhet të arrijë më shumë rezultate konkrete… Kjo nuk është çështje vetëm e percepcionit dhe se ka nevojë për më shumë rezultate në këto fusha.  Po ashtu ndërlidhet dhe me procesin e vizave, si një kërkesë e dytë, e cila është akoma e pa përmbushur…. Duhet të vendoset hapësirë ku mund të vërehen këto rezultate në Kosovë dhe për këtë arsye, kjo është vendosur në agjendën e reformave evropiane të Kosovës. Kjo është një çështje që do ta përcjellë Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit evropian. Atë çka thekson raporti është se ka nevojë për një vullnet politik për të adresuar këtë çështje”, tha ai.

E ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie tha se duhet që të hulumtohet dhe të dënohet zyrtarët e lartë.

 

“Prej se jam emëruar në këtë post para një viti e gjysmë, dua të iu them se nuk ka çështje tjetër me më rëndësi, derisa kjo të përmirësohet.  Për ta zgjidhur ketë problem,  ka nevojë për punë shumë të madhe nga shoqëria, të hulumtojmë dhe t’i dënojmë zyrtarët e lartë të cilët dhe qeveria ime shpenzon para të mëdha për t’i sponzoruar këto procese. Kur flasim për korrupsionin, u theksuan disa çështje pozitive, të cilat i kemi parë. Kemi parë një numër më të madh të zyrtarëve të lartë që janë dënuar. Kemi parë arrestime të mëdha siç e tha dhe zoti prokuror.  Kemi parë progres të madh në implementimin e prokurimit elektronik i cili do ta bëjë me të vështirë korrupsionin… Këto çështje duhet te vazhdojnë t’i shtyjmë përpara. E di se jemi duke bërë presion të madh ne secilën nga këto, por dëshirojmë që Kosova të ketë sukses. Dhe kjo à «shtë një nder rreziqet dhe pengesat më të mëdha për zhvillimin e shoqërisë kosovare”, tha ai..

Një propozim për zyrtarët e lartë të shtetit, pati dhe  ambasador i Mbretërisë së Bashkuara, Ruairi O’Connell. Ai tha se korrupsioni nuk luftohet me tryeza të rrumbullakta, por me vullnet politik.

 

“Lufta kundër korrupsionit varet nga vullneti politik dhe nga vendosmëria e strukturave vendore. Nuk mund të trajtohet korrupsioni vetëm me tryeza të rrumbullakëta, por duhet një mesazh i qartë që nëse dalin heronjtë e ri të Kosovës, si informatorë nëpër sektorë të ndryshëm, ose prokurorët që kanë marr masa të vështira kundër korrupsionit. Është shumë e rëndësishme që ata të ndihen të përkrahur, që ta dinë se kanë përkrahje politike në të ardhmen”, ka theksuar O’Connell.

E kryeprokurori  i shtetit Aleksandër Lumezi tha se perceptimi i qytetarëve vjen pasi që qytetarët po shohin pasurinë e politikanëve.

 

“Në Kosovë ende nuk kemi vlerësime të besueshme për nivelin e korrupsionit dhe për masën e përhapjes së tij. Prandaj pjesë e analizës e këtij Këshilli, duhet të jetë patjetër edhe mospërputhja në mes të percepcionit dhe  gjendjes reale të korrupsionit në vendin tonë. Ky perceptim është krijuar me arsye, për shkak të mos ndjekjes të korrupsionit të nivelit të lartë dhe për shkak të pasurimit jo proporcional të disa zyrtarëve shtetëror”, tha Lumezi. /KP