Sipas një hulumtimi të ri, Belgjika e ka përjetuar prillin më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky studim u publikua në kohën kur vendi i Evropës Perëndimore ka filluar t’i largojë masat kufizuese.
Gjithsej 14,790 belgë vdiqën muajin e kaluar përderisa vendi po përballej me përhapje të madhe të virusit të ri. Mesatarisht, në muajin e katërt viteve të kaluara ishin regjistruar rreth nëntë mijë të vdekur, bënë të ditur shkencëtarët e Universitetit “Vrije Universiteit Brussel”.
Belgjika nuk kishte shënuar shifër më të lartë të të vdekurve në këtë muaj që nga pushtimi nazist i viteve të dyzeta të shekullit të kaluar, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Vdekshmëria në Belgjikë është jashtëzakonisht e lartë, duke arritur nivele të pashembullta, sidomos mes datave 1 dhe 12 prill”, thuhet në deklaratën e këtij universiteti.
Vetëm më 10 prill vdiqën 639 persona, më shumë se dyfishi i numrit që do të pritej. “Prilli i vitit 2020 ishte prilli më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore, edhe me shifër absolute, edhe me numër mesatar për një mijë banorë”, shkruhet në hulumtim.
Në prill të vitit 1941, në Belgjikë ishin shënuar mesatarisht 16.3 të vdekur për një mijë banorë, ndërsa në prillin e këtij viti u shënuan 15.7 të vdekur për një mijë banorë.