Infektologu Valbon Krasniqi ka njoftuar se aktualisht në Klinikën Infektive të QKUK-së, janë të shtrirë 55 pacientë te prekur nga Coronavirusi.
12 pacientë janë në oksigjenoterapi, një pacient gjendet në repartin intenziv, gjendja e të cilit është shumë e rëndë – kritike, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme.
Krasniqi në konferencën për media dha detaje për rastin e fundit të vdekjes nga Coronavirusi, të gruas 40 vjeçare e cila ishte shtatzënë.
Ai tha se tashmë e ndjera, që nga momentin që ishte pranuar në Klinikën Infektive ka qenë ne gjendje të rëndë dhe për pesë ditë qendrimi në klinikë ishte e intubuar. Ajo ndërroi jetë në orët e para të së martës.
Valbon Krasniqi gjithashtu bëri thirrje për të gjithë qytetarët që t’i zbatojnë maksimalisht rregullat dhe rekomandimet për mbrojtje nga Koronavirusi.
Aktualisht Kosova regjistron 598 raste të konfirmuara me Covid-19, 123 të shëruar dhe 16 viktima.