Një diplomate e lartë e Koresë Veriore tha të shtunën, se Pjong-jangu dëshiron dialog me administratën e SHBA-ve nëse kushtet do të ishin të drejta, raporton agjencia e lajmeve jugkoreane Yonhap.
Choe Son Hui, drejtore e përgjithshme për çështje me SHBA pranë Ministrisë së Jashtme, i bëri komentet për media në Pekin derisa po udhëtonte drejt Koresë Veriore nga Norvegjia.
“Ne do të kemi dialog nëse do të ketë kushte”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjes së mediave nëse Koreja Veriore është duke u përgatitur për të mbajtur bisedime me administratën Trump.
Zyrtarja e larë veri-koreane ka lënë të hapur mundësinë e bisedimeve me qeverinë e re në Korenë Jugore të presidentit liberal Moon Jae-in.
“Do të shohim”, ka thënë Choe.
Komentet e Choe, e cila është anëtare e ekipit për negociata nukleare, vijnë në mesin e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i bërë presion Koresë Veriore mbi armët nukleare.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kishte paralajmëruar në një intervistë për Reuters në prill, se “një konflikt shumë i madh” me Korenë Veriore është i mundshëm, por ai preferon më shumë përpjekjet diplomatike në lidhje me raketat dhe programet nukleare të Pjong-jangut.
Trump më vonë tha se do të kishte “nderin” që të takohet me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un, në kushte të caktuara.
Departamenti i Shtetit kishte njoftuar se SHBA-të mbeten të hapura për bisedime me Korenë Veriore, por kjo e fundit duhet të pushojë të gjitha aktivitetet ilegale dhe sjelljen agresive në rajon, transmeton KosovaPress.
Choe, sipas mediave japoneze, ishte në Norvegji për të ashtuquajturat bisedime Track Two talks me ish-zyrtarë qeveritarë amerikanë, në serinë e fundit të takimeve të tilla.
Një burim i njohur me takimin e fundit tha se të paktën një ish-zyrtar qeveritar amerikan ka marrë pjesë, por administrata e SHBA-ve nuk ishte e përfshirë.
Presidenti i ri i Koresë Jugore Moon ka thënë, se është i vullnetit për të shkuar në Pjong-jang në rrethana të duhura dhe se dialogu duhet përdorur paralel me sanksionet për të zgjidhur problemin mbi armët e Koresë Veriore.
Koreja Veriore ka bërë pesë teste nukleare pavarësisht sanksioneve amerikane dhe Kombeve të Bashkuara, dhe është duke zhvilluar po ashtu raketa me rreze të mesme veprimit, të cilat sipas saj, do ta mbrojnë vendin nga “agresioni i SHBA-ve”.