Aktuale

Konjufca: Thaçi dhe Veseli deshën ta nxjerrin Vetëvendosjen nga skena politike

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka dhënë dëshminë e tij në kallëzimin penal kundër presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit në rastin “Syre i Popullit”.

Ai derisa ishte shef i Grupi Parlamentar bashkë me kryetarin e partisë Albin Kurtin kanë bërë kallëzim penal ndaj Thaçit dhe Veselit për kallëzim të rremë dhe deklarata të rrejshme nën betim.

“Kanë deklaruar se jemi themelues të organizatës “Syri i Popullit” dhe që kemi shkruar komunikata të UÇK-së që lidhen me vrasjet gjatë luftës në Kosovë si dhe me vrasjet e pasluftës në Kosovë”, tha ai në një prononcim për media pasi ka dalë nga prokuroria.

“Këto janë pretendimet e Thaçit dhe Veselit që të lidhin Vetëvendosjen me terrorizmin me vrasjet e luftës në kohën e luftës tonë çlirimtare por edhe gjatë vitit 2000. Kjo është e papranueshme për ne dhe kjo është arsyeja pse kemi paditur Thaçin dhe Veselin se kanë bërë deklarimet të rrejshme nën betim”.

Konjufca tha se Thaçi dhe Veseli përmes këtij veprimi kanë dashur që Vetëvendosjen ta nxjerrin nga skena politike duke e bërë terroriste.

“Ata kanë synim politik që duke e konsideruar VV-në si kundërshtar politik të bëjnë këso mveshje të veprave të rënda penale përmes deklarimeve të rrejshme me qëllim që ta diskualifikojnë nga skena politike Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”.

Sa i përket vonesës së thirrjes në prokurori, Konjufca tha se nuk e di arsyen por se është i kënaqur që ky organ i drejtësisë është aktivizuar.

“Nuk e di pse por është një lajm i mirë më në fund që prokuroria po aktivizohet dhe që në Kosovë nuk mund të presim vite të tëra kur janë në pyetje zyrtarët e shtetit, të cilët me deklaratat e tyre kanë treguar edhe dirigjues të institucioneve të drejtësisë”.

“Paramendojeni kur në një deklaratë Thaçi thotë që “unë e zgjeroj aktakuzën në drejtim të Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës” thua se vetë ai është prokuror dhe se evtë i shkruan proceset gjyqësore. Merreni me mend që ky është fjalori i presidentit tonë”.

“Ky është mentaliteti i njerëzve që na kanë qeverisur deri tash por jo edhe shumë gjatë”.

the authorGazetaKNN