Pas përgjimeve të djeshme të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën Glauk Konjufca tha se dje populli ishte dëshmitar i përgjimeve tronditëse, të cilat tregojnë për kapjen e shtetit nga mafia në Kosovë.
Konjufca tha se në Kosovë po ekziston një skemë e organizuar, që shtetin e ka kthyer në plaçkë dhe në interes personal.
Si drejtues të kësaj skeme, ai ka radhitur në rend të parë presidentin e vendit, Hashim Thaçin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, të pasuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Por, ai nuk la pa përmendur se pjesë e kësaj skemë është edhe partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Isa Mustafën.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjithashtu tha se në përgjime, qytetarët kanë kuptuar atë që e kanë ditur gjithmonë, por këtë herë sipas tij, qytetarët e kanë dëgjuar nga vetë protagonistët, siç thotë ai, të shtetit të kapur.
“Dje si popull dhe qytetarë ishim dëshmitarë të publikimit të një sërë përgjimesh tronditëse të cilat tregojnë për përmasat kriminale të shtetit të kapur nga mafia politike në Kosovë…Në to kuptohet dhe merret vesh ajo që qytetarët e dinë dhe e kanë ditur gjithmonë, por kësaj radhe nga vetë goja e protagonistëve të shtetit të kapur, dhe skemën, e cila është e vërtetë është kjo që në Republikën e Kosovës ekziston një skemë e organizuar e cila shtetin e ka kthyer në plaçkë dhe në interes personal. Skema e shtetit të kapur është kjo, dy shtyllat e krimit të organizuar në Kosovë janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dora e zgjatur e tyre e cila i ekzekuton projektet e tyre është kryetari i Grupit Parlamentar të Parisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. …Kurse siç dihet shumë mirë mekanizimi lehtësues i kësaj skeme kriminale është edhe partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Isa Mustafën”, tha Konjufca.
Me këto përgjime të publikuara, Konjufca thotë se nuk ka nevojë për dëshmitarë, pasi që vetë protagonistët janë dëshmitarë të shantazhuar prej korrupsionit.
Ai tha se me këto veprime këta njerëz nuk kanë legjitimitet që të marrin vendime madhore për Republikën e Kosovës.
Sipas tij, këta njerëz nuk do të largohen nga pushteti, por mënyra e vetme për t’i larguar ata është populli.
“Këta njerëz siç po vërehet prej vetë publikimeve, kur nuk kemi nevojë për dëshmitarë sepse dëshmitarë janë vetë protagonistët që flasin aty që tregojnë që këta njerëz janë të shantazhuar prej korrupsionit në të cilin janë të zhytur ata. Prandaj nuk kanë kurrfarë legjitimitetit që të marrin vendime madhore për Republikën e Kosovës, sepse situata kriminale në të cilën ata ndodhen nuk i bënë njerëz që të punojnë për interesin e shtetit dhe kombit por që për këtë arsye i bënë njerëz që kombin dhe shtetin ta shesin dhe të bëjnë kompromis për kombin dhe shtetin për interesat e tyre personale dhe që të mbetën të paprekshëm nga drejtësia dhe të përjetshëm në pushtetin e tyre politik. ..Këta njerëz të tillë me këto veprime vetëm sa na tregojnë se nuk do të largohen vetë nga pushteti por duhet t’i rrëzojë populli dhe qytetarët”, tha Konjufca.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të hetojnë rastin e përgjimeve e t’i ndëshkojnë përgjegjësit.
Ai shtoi se kësaj herë Prokuroria nuk ka nevojë për fakte dhe dëshmitarë, sepse vetë dëshmitarët kanë fol dhe me zërin e tyre mund të argumentohen që e organizojnë krimin në politikën e Kosovës.
Për publikimet e djeshme të përgjimeve, ka folur edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila tha se me këtë është dëshmuar që Kosova nuk drejtohet nga politikanë të ndershëm, por nga koka e krimit.
“Dje përmes audio incizimeve të pakuptueshme edhe njëherë u dëshmua që Kosova nuk drejtohet nga politikanët e ndershëm por nga kokat e krimit…Sot e kemi shumë të qartë sepse Prokuroria dhe gjykatat i vërsulen opozitës dhe qytetarëve të Republikës dhe asnjëherë kriminelëve të cilët e drejtojnë shtetin, dhe që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër”, tha Haxhiu.
Ajo ka theksuar se vetëm në një përgjim përmenden katër emra që lidhen me drejtësinë. E për këtë ajo tha se sa herë që i kanë thënë Veselit kriminel, ai i thoshte shkoni në Prokurori, e që për këtë Haxhiu tha se Veseli është ndjerë komod sepse Prokuroria dhe Gjyqësia kanë qenë të kapura nga vetë ai dhe Hashim Thaçi.
“Është e qartë se pse Kadri Veseli na thoshte drejtojuni Prokurorisë sa herë që ne deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i thonim kriminel. AI ishte komod sepse e dinte që Prokuroria dhe gjyqësia janë të kapura dhe të kriminalizuara nga vetë ai dhe Hashim Thaçi. Sot faktet po dalin në shesh dhe Prokuroria do të duhej të vepronte vetë dhe menjëherë por krimi dhe korrupsioni nuk mund të luftohen përmes një sistemi të kriminalizuar të drejtësisë vetëm mobilizimi i qytetarëve do të mund ta ndryshonte këtë gjendje”, theksoi Haxhiu.
E pyetur se a po bëjnë thirrje për protestë, Haxhiu tha se për çdo aksion apo protestë do të informohen me kohë./KP