Presidenti i Kosovës tashmë ka caktuar datën e mbajtjes së seancës konstituive me 3 gusht. Por Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk iu përgjigj ftesës së takimit, thotë se detyrë e presidentit është vetëm ta caktojë datën, e jo të bëj lojëra politike, ashtu siç po vazhdon të bëjë.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë se Thaçi, po sillet si president vetëm i PAN-it, të cilit i dhuroi dhe dhjetë ditë peshqesh që të mund t’i bëjnë numrat, të cilët sipas tij siç po duken nuk i kanë.
Konjufca: Presidenti i PAN-iu ua dha dhe dhjetë ditë peshqesh që t’i bëjnë numrat
“Presidenti i Kosovës e ka vetëm një kompetencë. Kompetencën e thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk i takon atij të bëjë lojëra politike, me të gjitha subjektet kinse ai po i thërret, kinse ai është garantues i stabilitetit institucional. Në momentin kur rolin e tij po e kryen vetëm si një president partiak, si një president i PAN-it. Ai qëllimisht e zvarriti gjithë këtë kohë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve duhet të shpallet data e konstituimit të Parlamentit të Kosovës. Pastaj vjen radha e krijimit të Qeverisë dhe e të gjitha fazave tjera. Presidenti nuk ishte në krye të detyrës kushtetuese për me caktu datë konstituive për themelimin e Kuvendit. Përveç kësaj tash edhe 10 ditë tjera ua dha si dhuratë koalicionit PAN. Kjo është simptomë që ata nuk i kanë numrat për krijimin e Qeverisë dhe e morën një peshqesh nga pre sidenti Thaçi, që t’i kenë edhe dhjetë ditë, derisa të mund t’i bëjnë numrat me ato procedurat e tyre të shitblerjeve të posteve publike e kështu me radhë. Pra presidenti po na tregon që nuk është president i Kosovës dhe i kushtetutës, është president i koalicionit PAN”, tha Konjufca për KosovaPress.
Sa i përket seancës së 3 gushtit dhe votimit të kryeparlamentarit, Konjufca thotë se VV-ja nuk do ta votojë Veselin si kryetar i Kuvendit, pasi që siq thotë ai “ai është në krye të krimit të organizuar, sa i përket politikës e po ashtu dhe kapjes së shtetit”.
Konjufca: Ne nuk e votojmë Veselin
“Ne nuk e votojmë Kadri Veselin për kryeparlamentar të Kosovës. Kadri Veseli është figura kyçe e të ashtuquajturit, proces i kapjes së shtetit, të cilin aq shumë e ka shpjeguar dhe Ramush Haradinaj. Tash ai është bërë bashkë me Kadri Veselin në kapje të shtetit. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon qëndrimin e saj të palëkundur konsistent që Kadri Veseli përbën shkelësin kryesor të interesit të qytetarëve dhe ai që në mënyrë konsistente e ka dhunu interesin e qytetarëve të Kosovës, ka tjetërsuar drejtësinë, e ka kapur gjyqësorin, e ka ngulfatë Kosovën ekonomikisht. Institucionet e pavarura i ka kthyer në institucione partiake dhe mbrojtjes së interesave klanore dhe është një njeri, i cili është në krye të krimit të organizuar sa i përket politikës. Kështu që në asnjë mënyrë Kadri Veseli që të votohet. Lëvizja Vetëvendosje në këtë mënyrë po vazhdon t’i mbajë vlerat e veta. Kurse Ramush Haradinaj vetëm se Kadri Veseli po e bën kryeministër, ai i shiti të gjitha vlerat, të cilat i mbronte deri në momentin kur u propozua kryeministër nga koalicioni PAN”, tha ai.
Ndërsa sipas Konjufcës metoda përmes së cilës po mundohen ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë mazhorancën parlamentare, e dëmton shtetësinë dhe e dëmton demokracinë, pasi që vota e qytetarit nuk shitet dhe as nuk blihet. Sipas tij koalicioni më i shëndetshëm për Kosovën, do të ishte një shumicë parlamentare e cila nuk varet nga Beogradi dhe nga kushtëzimet e Llistës Serbe.
Konjufca thotë se në rast se dështon koalicioni PAN në krijimin e Qeverisë dhe presidenti nuk i jep mundësi mandatarit të dytë, atëherë do ta çojnë në Kushtetuese.
Konjufca: Nëse s’na jep mandatin, Thaçin e qojmë në kushtetuese
“Ne do ta qojmë Thaçin në kushtetuese. Tashmë të gjithë ekspertët edhe ata që kanë qenë kryetarë të Gjykatës Kushtetuese po edhe kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama, me interpretimet e tyre kanë thënë qartë se, nëse herën e parë koalicioni PAN nuk mund ta krijojë shumicën parlamentare, të krijojë numrat për Qeverinë dhe nëse presidenti refuzon t’ia jap mandatarit të dytë mundësinë për ta krijuar Qeverinë, kurse mandatari i dytë e argumenton që i ka shumicën parlamentare, atëherë të gjithë ekspertët e Gjykatës Kushtetuese deri tash e kanë bërë fare të qartë, se kjo do të ishte një shkelje e vullnetshme e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky do të ishte një veprim i rëndë dhe presidenti Thaçi do të duhej të jepte përgjegjësi nëse e bënë një veprim të tillë, një shkelje të tillë, atëherë me siguri se do të shkarkohet si president i republikës së Kosovës”, tha ai .
E partitë tjera si LDK dhe AKR nuk kanë një qëndrim të prerë nëse do ta votojnë Veselin për kryeparlamentar apo jo. Korab Sejdiu nga AKR-ja thotë se po presin kandidaturën zyrtare dhe pastaj të vendosin për këtë.
Sejdiu: Po presim kandidaturën zyrtare
“Nuk mund të flas në emër të koalicionit tonë, për arsye se do të ishte e padrejtë, sepse ende nuk kemi një informatë zyrtare se kush është kandidati zyrtar nga ana e koalicionit fitues për kryetar të Kuvendit. Natyrisht edhe mendimi im personal edhe mendimi i koalicionit varet nga ajo se kush propozohet dhe a është i pranueshëm për të qenë kryetar personi, i cili është i kandiduar për kryeparlamentar…Nuk dëshiroj të flas për emra të përveçshëm derisa ata nuk janë kandidatë zyrtar. Në momentin që shpallet një kandidaturë zyrtare ne do ta bëjmë analizën e personit në fjalë qoftë në historinë profesionale, politike e kështu me radhë, për ta vlerësuar se a i përmbush kriteret që ne mendojmë që janë të nevojshme dhe me pas përvojën për të qenë krye parlamentar”, tha Konjufca.
I kontaktuar nga KosovaPress nënkryetari i LDK-së Agim Veliu ka thënë se nuk mund të flas për çështje të tilla, pasi që i mbetet Kryesisë së partisë të marrë qëndrim rreth kësaj çështje, nëse do ta votojnë apo jo Veselin, për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Sot presidenti Hashim Thaçi ka caktuar për 3 gusht mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës. Thaçi kishte ftuar për të caktuar datën e seancës të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, por takimin e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa si dhe Lista Serbe.