Aktuale

Konjufca për veprimet e mundshme të VV-së: Do të jeni spektatorë të veprimeve tona

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se mbetet të shihet se si Vetëvendosje do ta kundërshtojë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Ai u pyet nga gazetarët nëse do të hedhet gaz lotsjellës nga Vetëvendosje në Kuvend. “Nuk jam i sigurt”, tha ai, raporton Periskopi.

“Do ta kundërshtojmë këtë demarkacion përmes fjalimeve tona. Mbetet të shihet, do të jeni spektatorë të reagimeve tona”, tha ai.

Konjufca tha se Murat Meha dhe Hashim Thaçi duhet ta marrin përgjegjësinë për gabimin që e kanë bërë me marrëveshjen për demarkacionin.

“Për mendimin tim zgjidhja është shumë e lehtë. Murat Meha duhet ta marrë përgjegjësinë për gabimet e veta. Edhe Thaçi, duhet ta marrë përgjegjësinë, kurse Kosova duhet ta marrë territorin e vet”, tha ai.

Konjufca tha se liberalizimi i vizave nuk është më i rëndësishëm se territori i shtetit.

“Liberalizimi i vizave është efekt anësor, për mua esenciale është që ta mbrojë territorin e shtetit tonë”, tha ai. /Periskopi/