Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se fajtor pse ngritet një mur në Mitrovicë nuk është vetëm Serbia dhe strukturat ilegale të saj, por faj, sipas tij, kanë edhe politkat e Qeverisë së Kosovës që lejojnë dhe legalizojnë struktura të tilla.
“Ajo që më bën përshtypje është një dyfytyrësi me këtë çka na ka ndodh deri më tash. Theksi vendoset tek Serbia, strukturat ilegale të tyre. Mos harroni, po aq të dëmshme sa këto struktura, është edhe një politikë vendore, që iu ka përshtatur strukturave të paligjshme të Serbisë”, tha Konjufca.
Duke folur në seancën ku po diskutohet për këtë çështje, Konjufca tha se problemi do të kishte qenë shumë më i vogël nëse do të ishin përballur të gjithë bashkë me strukturat e Serbisë në Kosovë.
“Problemi më i madh i Kosovës është që politikat vendore po i legalizojnë këto struktura ilegale të Serbisë. Problemi i vërtetë nuk janë thjesht strukturat ilegale, janë bashkëpunëtorët tuaj, që i keni krijuar vet, që e qesin barrikadën, që e zënë urën, që e ndërtojnë urën”, tha ai.