Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha sot se nuk morën pjesë në takimin konsultativ të partive politike, pasi që konsideron se mbledhjet e tilla, sipas tij, kanë për synim blerjen e kohës nga PAN pasi që nuk i kanë numrat për të formuar institucionet.
Ai takimin e sotëm konsultativ, të thirrur nga kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci me shefat e grupeve parlamentare të partive politike, e ka quajtur të panevojshëm.
“Vetëvendosje nuk mori pjesë në këtë takim konsultativ, për arsye se ne mendojmë se këto takime janë të panevojshme dhe arsyeja e vërtetë e tyre ka të bëjë me zëvendësimin e seancës konstituive të kuvendit me mbledhje politike, mes partive politike. Kjo nuk është në rregull, pasi kjo është në funksion të qëllimeve të koalicionit PAN, për të blerë kohë aq sa është e mundur, derisa ata t’i përmbyllin pazaret e tyre që i kanë filluar veç e veç, qoftë me Teuta Rugovën, qoftë me deputet të tjerë të kuvendit, të cilët ata duan t’i blejnë.
Kjo është arsyeja e vërtetë pse koalicioni PAN po i nevojitet më shumë kohë, sepse nuk i kanë numrat dhe në funksion të krijimit të numrave po shpikin mbledhje konsultative, që nuk janë as në kompetencë të kryesuesit të mbledhjes konstituive të kuvendit”, ka thënë Konjufca.
Ai i ka bërë thirrje koalicionit PAN që të dalin me kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi, qoftë ai Kadri Veseli, apo ndonjë kandidat tjetër.
“Nëse PDK nuk heq dorë nga Veseli, atëherë unë e ftoj ta qesin në votim Kadri Veselin. Ne nuk po themi hiqni Kadri Veselin patjetër. Ata janë para dy alternativave. Ose ta zgjedhin një kandidat tjetër, ose ta qesin Kadri Veselin në votim, nëse ata duan patjetër. Unë i ftoj që nesër të vijnë dhe ta qesin në votim emrin e këtij njeriu, që qenka kaq i rëndësishëm. Vetëvendosje mendon që duhet të ketë seanca për çdo ditë, derisa të zgjidhet kryetari i ardhëm i Kuvendit”, tha Konjufca.
Ai i ka quajtur të pamatura deklaratat e shefit të grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hotit, sipas të cilit Qeveria e re nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që kanë kapur institucionet, dhe as nga njerëz që kanë sulmuar institucionet. “Deklarata e djeshme e Avdullah Hotit ka qenë e pamatur. Ajo deklaratë e ka degraduar bashkëpunimin mes koalicionit LAA dhe VV-së. Mendoj që kjo është bërë me qëllim nga ana e zotit Hoti, sepse ai është aq i mençur sa për ta kuptuar se konsideromi i njëjtë i Vetëvendosjes me PDK-në, nga ana e koalicionit LAA nuk i kontribuon bashkëpunimit të ardhshëm së këtij koalicioni dhe VV-së. Ka qenë deklaratë naive e tij dhe dëmton bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, tha Konjufca. /KosovaPress/