Aktuale

Konjufca: PAN-i nuk i ka numrat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka shprehur edhe një herë qëndrimin e kësaj partie kundër zgjedhjes së Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, ndërsa ka thënë se koalicioni PAN nuk i ka numrat për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Ai në fjalën e tij në vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se problemi kryesor i koalicionit PAN, i cili nuk po merr pjesë në këtë seancë, është mungesa e votave për ta zgjedhur Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

“Kjo pamundësi i ka arsyet e veta. Kadri Veseli nuk përbën një figurë unifikuese që do të ishte urëlidhëse ndërmjet grupeve parlamentare në Kuvend. Tashmë është bërë e qartë se ky njeri nuk mund të zgjidhet kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Duke folur rreth tërheqjes së Veselit nga kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se ai duhet ta mbajë këtë premtim, por sipas tij, Veseli nuk mund të kushtëzojë për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, e cila sipas Konjufcës duhet të formohet nga LVV-LDK dhe pakicat.

Ai ka thënë se nëse PAN ndryshon kandidatin për kryetar të Kuvendit, atëherë të gjithë janë të gatshëm të shqyrtojnë vendimin e ri, në mënyrë që të ecin përpara në fazat e ardhshme./KosovaPress/