Të qëllimshme i ka quajtur sjelljet e PAN-it karshi situatës politike, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Konjufca ka thënë se fakti se seanca konstituive është thirrur 5 herë me radhë, dëshmon papërgjegjësinë e një grupi parlamentar që nuk është në nivelin e përgjegjësisë publike sipas Kushtetutës.
Për atë se PAN nuk po dëshiron të marrë pjesë në seancë, Konjufca tha se meqenëse ata e kanë bërë betimin si deputetë të Republikës të Kosovës, ata duhet të marrin edhe përgjegjësinë që iu takon.
“Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kërkojmë prej PAN-it, deputetëve që e kanë bërë betimin, të marrin përgjegjësinë publike, të marrin pjesë sa më shpejtë në seancë dhe të mos bëhen shkaktarë të kësaj bllokade të cilën ata po e bëjnë me qëllim”, tha ai.
Më tej, Konjufca, sa i përket dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të çështjes për të sqaruar të drejtën e koalicionit PAN për të propozuar kryetarin e Kuvendit, është shprehur se nuk i konvenon vendit që kjo punë të pres me ditë të tëra pastaj trajtimin nga Gjykata, pasi që PAN mund të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë punën deri në fund të muajit shtator.