Aktuale

Konjufca: Kodi telefonik tregon që diçka po rrjedh prej sovranitetit

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij lidhur me interpelancën e kryeministrit për kodin shtetëror telefonik të Kosovës ka përmendur edhe arrestimin e drejtorit të Policisë në Mitrovicë Nehat Thaci nga policia serbe.

“Kryeministri shumë herë iu referua marrëdhënieve shumë të mira me Serbinë, fqinjësisë së mirë që është qëllim i Qeverisë sonë. Mbrëmë kemi arrestimin e një zyrtari të Policisë dhe asnjë fjalë si tha as nga kryeministri dhe as ministri i Punëve të Brendshme. Këto marrëdhënie të shkëlqyera kthehen me arrestime të autoriteteve më të larta të Policisë së Kosovës me aktakuza për terrorizëm”, tha Konjufca.

Kjo sipas Konjufcës është  fqinjësia e mirë me Serbinë ndërsa tha se telefonia nuk është hiq më mirë se arrestimet që po i bën Serbia.

Ai tha se të gjitha Qeveritë nga viti 2008, e kanë pasur si arsyetim se Kosova s’mund të anëtarësohet  në ITU, sepse nuk është anëtare e OKB-së.

Në lidhje me këtë tha se në disa organizata Kosova ka konkurruar edhe pa qenë anëtare e OKB-së ndërsa në disa tjera jo sepse siç tha Konjufca, “ka pasur marrëveshje me Serbinë që mos  të konkurrojnë”.

Përgjigjen për këtë Konjufca tha se mund ta gjejnë tek zyrtarët politik, të cilëve u ka konvenuar që Serbia, të fitoj qindra miliona euro nga kjo varësi e telefonisë mobile, e cila ka qenë e kontrolluar nga Serbia.

“Kushtetuta e ITU-së e mundëson që edhe me pas kod telefonik të pavarur edhe vendet që s’janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”, tha Konjufca.

Sipas tij kompania e re e Serbisë që do të hyjë në Kosovë do të operojë në mënyrë ilegale.

“Ky s’ka qenë çmimi që është dashur ta paguajmë. Është çmim i papërballueshëm për Kosovën. Ne tash po hyjmë dhe në probleme politike përmes kësaj. Me këtë kod do të jetë383 , por cili do të jetë statusi i këtij kodi. Atë që ka fituar Kosova në thonjëza, është degradimi i tregut të telekomunikacionit në Kosovë. Krejt hapësira telefonike e Kosovës, po futet në bashkëveprim me telekomunikacionin e Serbisë, që shkëmbimet e tyre nuk do të jenë ndërkombëtare. Kjo tregon që diçka prej sovranitetit po rrjedh”, tha Konjufca.