Kryesia e Kuvendit, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku pikë të vetme të rendit të ditës, kishte formimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim.
Kryesia ka vendosur që ky komision të udhëhiqet nga pozita dhe udhëheqës i delegacionit të jetë Xhavit Haliti.
Me këtë emërim nuk janë të kënaqura deputetë nga partitë opozitare.
Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca e quan diçka të shëmtuar që nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti t’i udhëheq tri delegacionet më të rëndësishme, delegacionin në Këshillin e Evropës, delegacionin në NATO dhe atë në Parlamentin Evropian e që është komisioni për MSA-në. Ai thotë se kjo që po ndodh është e gërditshme.
“Aty u vendos në mënyrë shumë jo demokratike për udhëheqjen e komisionit, i cili do të krijohet nga Kuvendi i Kosovës për ta mbikëqyr implementimin e MSA-së. Në të gjitha bisedat që kemi pasur, ne jemi marrë vesh që ky komision të vendoset për udhëheqjen e tij në mënyrë politike. Këtu u vendos me mbivotim. Pra që me shumicë votash që të udhëhiqet ky komision nga pozita. Dhe tash do të jemi në situatën kur Xhavit Haliti do të jetë udhëheqës i tri delegacioneve me të rëndësishme në Parlamentin e Kosovës. Në delegacionin tonë në Këshillin e Evropës. Në delegacion tonë në NATO që do të shkojë edhe në delegacionin në Parlamentin Evropian, që është ky komisioni për MSA . Kjo është e gërditshme, kjo është e shëmtuar që nënkryetari PDK së në Kuvendin e Kosovës t’i udhëheq tre delegacionet më të rëndësishme”, tha Konjufca.
Sipas tij pozita vetëm pse i kanë 61 numra, po duan t’i marrin të gjitha, e kështu do t’ua merrnin edhe mandatin, po të kishin mundësi.
“ Kjo është vendosur në formë diktati. Veç se këta i kanë 61 numra po donë me i marrë krejt komisionet me i udhëheq. Me 61 numra mund të na marrin dhe krejt mandatin si deputet. Mirëpo unë po flas çka është demokratike dhe çka nuk është demokratike. Këta kanë hyrë në një fazë shumë të rrezikshme, veç pse e kanë shumicën këtu në kuvend t’i marrin krejt pozitat përfaqësuese gjë që nuk është në rregull”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë.
Sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ai tha se nuk kanë biseduar ende për kurrfarë mocioni votëbesimi dhe se në momentin që ulen dhe bisedojnë për këtë me LDK-në, atëherë do të informojnë lidhur me këtë.
Por shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi thotë se Kryesia e ka marrë këtë vendim brenda kompetencave të veta, për përcaktimin e delegacionit të Kosovës në Komisionin e Stabilizim Asociimit, i cili përbëhet nga 13 deputetë të Kosovës dhe 13 deputetë të Parlamentit Evropian. Ai thotë se për dallim prej çdo kryetari paraprak që këto vendime, konform kompetencave të veta i ka marrë personalisht dhe pa kontestim, sepse i takon me kompetenca kushtetuese ligjore. Krasniqi thotë se është hera e parë është që në këtë mandat por dhe në të kaluarin ndiqet një formulë e respektimit të opozitës, duke i përfshirë ata në këto delegacione, por jo në komisione.
“Sot u votua përbërja me konsensus të plotë në mënyrë unanime nga krejt kryesia dhe me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare dhe po ashtu me shumicë votash u votua që udhëheqja e këtij delegacioni të bëhet nga zyrtarë të PDK-së, çfarëdo tjetër që del jashtë këtij konteksti është ose kërkesë me ndryshu praktikën parlamentare, ose kërkesë për me bë shkelje ligjore, ose kërkesë për me marrë diçka që nuk u takon. Sepse tek e fundit, nuk e kanë marrë edhe besimin e qytetarëve, për me pas përgjegjësi më shumë se sa kaq.. Është hera e parë që ne i japim hapësirë opozitës me marrë pjesë në këto diskutime dhe me qenë pjesë dhe e vendimmarrjes dhe përbërjes. Edhe pse nuk e parasheh rregullorja ne sot edhe në këtë delegacion i kemi dhënë hapësirë tre përfaqësuesve të VV-së, tre përfaqësuese të LDK, tre PDK dhe vetëm nga një grupeve tjera parlamentare”, tha ai.
Ndërsa kundërshtimin e opozitës Krasniqi e sheh si përpjekje për të krijuar tema të paqena, vetëm për t’u ikur temave aktuale.
“Shikoni nganjëherë është krejtësisht e kuptueshme në politikë që me u mundu me kriju tema të paqena për me tërheq vëmendjen prej temave të vërteta. Kështu që nuk i fajësojmë këta të VV-së“, tha ai.
E kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Kuvendi po realizon agjendën e vet dhe se janë në pritje dhe të buxhetit, në mënyrë që ta përfundojnë këtë pjesë të këtij sezoni parlamentar.
Veseli u pyet dhe për përgjimet e dala në media së fundi, të quajtura ‘Pronto 3’, ku bëhet fjalë për Aleksandër Lumezin. E ai kishte një përgjigje interesante për këtë.
“Nuk kuptova cili Klan ke M a P. Organizatat politike dhe ju si media dhe bizneset çdo herë kanë prirjen të kenë konkurrueshmëri më të lartë, që të kenë afër vetës njerëz, me të cilët mendojnë të kenë suksese më shumë në konkurrencën qoftë politike, qoftë biznesore. Kjo është ai aspekti ku shumë njerëz aktivizohen në politikë. Ajo çfarë dua të them, kam bindje të mirë për çdo njeri që i kontribuon vendit të vet. Unë nuk mund të shtoj asgjë më tepër, për arsye se nuk kam pasur ndonjë lidhshmëri diçka as personale, as të veçantë, as njohje. Të gjithën që mund ta them as njohje personale nuk kam pasur. Mirëpo organizatat politike, ndërmarrësit, bizneset, biznesi privat po flas në të njëjtën kohë mediat, çdo kush mundohet që në konkurrueshmëri që kemi aktualisht të jetë më i suksesshëm”, tha ai./KP/





















