Aktuale

Konfiskohen disa armë, arrestohen dhjetë persona

Pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë tremujore, Policia e Kosovës në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arrestuar dhjetë persona, katër prej tyre në Kosovë dhe gjashtë një Nju Jork, si dhe ka konfiskuar armë dhe prova tjera materiale.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët amerikanë në mënyrë paralele në të dyja vendet. Dy operacione janë realizuar në Republikën e Kosovës, rajoni i Pejës dhe një në Nju Jork.

Në mbështetje të realizimit të operacioneve kanë qenë pjesëmarrës Drejtoria e Njësive Speciale, Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve, Drejtoria e Forenzikës dhe njësi të tjera policore të PK-së në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe gjykatën kompetente.

Operacioni i parë është realizuar më 18 qershor të këtij viti, ndërsa operacioni i dytë është realizuar mbrëmë rreth orës 19:45 në Klinë.

Operacionet kanë rezultuar me arrestimin e katër personave në Kosovë dhe gjashtë personave në Nju Jork, si dhe janë konfiskuar armë dhe prova të tjera materiale.

Personat e arrestuar në Kosovë janë: A. K. 1988, M. D. 1987, D.P. 1994, D. M. 1989, që të gjithë shtetas të Kosovës.

Me këtë rast janë konfiskuar 15 armë automatike AK-47, 120 fishekë, 7.62 mm, 1 anti-tank (zolla), 1 pistoletë, 1 pushkë ajrore, 63 mijë euro, dy vetura dhe katër telefona mobilë.

Me urdhër të prokurorisë kompetente personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejme ligjore.