Tre pistoleta dhe një armë tytë gjatë janë konfiskuar gjatë vikendit në Mitrovicë dhe Skenderaj, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë të shtënave në ahengje.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në katër raste të ndara, brenda dy ditëve të vikendit, njësitë policore në Mitrovicë dhe Skenderaj kanë konfiskuar katër armë.
“Mbi bazën e informacioneve të pranuara për të shtëna në ahengje, njësitë policore kanë reaguar në katër raste të ndara, dy në zonën e Mitrovicës dhe dy të tjera në zonën e Skenderajt, me ç’rast në të katër intervenimet janë gjetur dhe konfiskuar katër armë, tri pistoleta dhe një armë tytë gjatë. Nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, janë arrestuar katër persona, të cilët pas procedurave intervistuese janë liruar për procedurë të rregullt”, ka thënë Zahiti.
Sipas tij, ndaj të dyshuarve është iniciuar procedurë për vepër penale ’shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.