Aktuale

Konfiskohen 25 kilogramë marihuanë, arrestohet serbi

Policia e Kosovës gjatë një operacioni operativ-hetimor në fshatin Llapnasellë tw komunws sw Graqanicës, ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar.

Policia në koordinim edhe me prokurorinë kompetente pas hetimeve intensive të kryera dhe sigurimit të informacioneve relevante se i dyshuari R. ZH. serb nga Kosova, posedon në shtëpinë e tij sasi të substancës narkotike dhe të njëjtën gjatë ditës pritej ta transportonte në një vend tjetër, Policia në Llapnasellë ka realizuar një operacion taktik bastisjeje në lokacionin e të dyshuarit dhe në pronën e tij janë gjetur të mbushur tre thasë me substancë narkotike të dyshuar e llojit marihuanë, pesha e së cilës rezultonte të jetë 25 kilogramë e 400 gramë.

Sasia e substancës së dyshuar është konfiskuar përderisa me urdhër të prokurorit kompetent të dyshuarit të arrestuar iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore./KosovaPress/