Victoria Nuland, ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, do të takojë zyrtarë të lartë, gjatë vizitës së saj në Kosovë e Serbi si dhe në disa vende të ndryshme të rajonit.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se vizita e saj në këto vende të Evropës do të zhvillohet gjatë kësaj jave dhe javës tjetër.
Aktualisht Nuland është duke e shoqëruar Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Gjeorgji, Ukrainë dhe Poloni.
“Me 10 korrik, Nuland do të udhëtojë në Prishtinë-Kosovë, ku do të takojë zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile me këndvështrim në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë edhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi, mbështetjen e Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit”, shkruan në deklaratën e lëshuar sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Pas vizitës që do t’i bëjë Kosovës, sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Nuland do të qëndrojë edhe në Shqipëri e Maqedoni, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonalem, raporton lajmi.net.
Në Shqipëri, temë diskutimi me zyrtarët e lartë shtetërorë, liderët politikë dhe Shoqërinë Civile, do të jetë diskutimi i çështjeve rajonale por edhe reforma në sistemin e drejtësisë.
Ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, do ta përfundojë udhëtimin e saj në rajon duke vizituar edhe Qipron me 12 korrik, ku do të takojë zyrtarët e lartë të grekëve qipriotë dhe turko qipriotë, si dhe të dërguarin Special të Sekretarit të OKB-së dhe SHBA-së për Qipron, Barth Eide.
Ndërkohë, bazuar në deklaratën e DASH-it, ky do të jetë itinerari i vizitës së Victoria Nuland në rajon:
Me 10 korrik-Nuland viziton Kosovën. Gjatë ditës, ajo viziton Shqipërinë.
Me 11 korrik-Nuland viziton Maqedoninë. Gjatë ditës ajo do të qëndrojë në Serbi.
Me 12 korrik-Nuland do të vizitojë Qipron.
