Zyrtarë të përfshirë në organizim kanë konfirmuar ditë më parë se Rita Ora performon në Kosovë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por kjo u kontestua nga disa media të cilat kanë hedhur dyshime për këtë performancë me që Rita më 17 shkurt zyrtarisht në agjendë ka paraparë angazhime tjera.
Sidoqoftë, është njeriu i afërt me presidentin Thaçi, Petrit Selimi, ai që në rrjetin social Twitter ka thënë se këngëtarja ka konfirmuar performancën e saj në Kosovë.
“Pop ylli kosovaro-britanik, Rita Ora, ka konfirmuar koncertin e madh për 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës. Njerëz, vetëm kujtoni se Roma nuk është ndërtuar për një ditë. Por, sigurisht se ata kanë pasur festa të mira”, ka shkruar Selimi në Twitter.
Edhe pse Selimi nuk ka funksion zyrtar lidhur me organizimin që po e bën presidenca, ai ka përvojë në këto organizime.
Selimi ka kontribuar që emra tjerë të performojnë në vend, por nga një rol më zyrtar së pari si këshilltar i kryeministrit dhe më pas edhe si ministër i jashtëm.
Rita Ora pritet të performojë për rreth një orë më 17 shkurt, për vendin dashurinë ndaj të cilit ajo kurrë nuk e mohoi, madje e promovoi, e çka e bëri atë ambasadore nderi të Kosovës.