Në vijim të vizitës së tij në Turqi kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij turk Yildirim mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp ku në fokus të bisedës ishin sulmet e fundit terroriste në aeroportin e Stambollit dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Të dy kryeministrat u shprehën të gatshëm për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, por edhe në fushën e arsimit dhe kulturës.
“Ne kemi parë me kënaqësi të gjithë panoramën e gjërave që na lidhin dhe bashkojnë dhe kemi gjetur se potenciali për të bërë më shumë është i jashtëzakonshëm dhe së bashku me kryeministrin Yildirim ne jemi angazhuar që të çojmë përpara këtë proces intensiv bashkëpunimi për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, arsimit dhe kulturës duke bërë që ajo çka ushqejmë për njëri-tjetrin si popuj dhe si vende të mos jetë më e madhe sesa ajo që bëjmë realisht nga pikëpamja e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike”, tha Rama.
Në lidhje me sulmet e mbrëmshme në Stamboll Rama ritheksoi zotimin e Shqipërisë për të qenë në krah të Turqisë dhe gjithë aleancës antiterror.
“Ata që zhytën sot në zi Turqinë, kurrën e kurrës nuk do ta pengojnë, as këtë vend të bekuar dhe as fuqinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithëve neve, të bashkuara në sofrën e njerëzi-dashës dhe në këtë sofër, Shqipëria dhe Turqia janë bashkë prej kohësh”, tha ai.
Ndërsa homologu turk Binali Yildirim, falenderoi Shqipërinë që i ndodhet pranë Turqisë në çdo moment.
“Vendi ynë u përfshi nga një sulm terrorist ku shumë persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Shqipëria është gjithmonë pranë nesh, kjo është kënaqësi për ne. Ne vërtetuam se çdo lloj terrori, ISIS, Partia Komuniste Kurde dhe organizata terroriste kanë vërtetuar që në kurrë nuk mund të mbajmë qëndrime të ndryshme në luftën që duhet të bëjmë kundër këtyre organizatave.
Qëllimi i organizatave është të mbjellin vdekjen. Ne kemi marrëdhënie të forta dhe të sinqerta me Shqipërinë të cilat i kanë themelet në historinë tonë”, tha kryeministri turk.