Koncerti humanitar i Dua Lipës ka filluar siç është paraparë në ora 19:00. Të gjithë e kanë mirëpritur këtë koncert pasi që pjesëmarrja duket shumë e madhe që janë nga të gjitha moshave.
Gërmia po mbushet ende me njerëz, këtë e tregon edhe kolona e veturave në drejtim të Gërmisë por edhe njerëzit që kanë vendosur të ecin deri në koncert.
Koncertin e hapën këngëtarët vendas, Mc Kresha dhe Lyrical Son.
Ndërkohë, Erna Zogjani thotë se arsyeja pse ajo ka vendosur të vijë në këtë koncert është se Dua Lipa po vjen për herë të parë para popullit të vet, pas suksesit të saj nëpër Evropë.
“Ndoshta për dy arsyet por që pjesa humanitare ndoshta peshon më shumë në arsyen pse unë kom vendos me ardhur këtu. Është edhe arsyeja pse Dua Lipa vjen për herë të parë pas një suksesi që ka pas në Evropë, vjen përpara popullit të vet, përpara popullit shqiptarë…sa i përket pjesës që është lidh koncerti me çështje humanitare, mendoj që ka qenë ajo pika, qershia mbi tortë…p o shoh shumë patrulla të policisë, kështu që po krijon një siguri të madhe, edhe duke e pas parasysh faktin se në BeerFest ka qenë një incident prej njerëzve të papërgjegjshëm, mendoj që s’ka me pas diçka që e pengon koncertin…garant ndjenjë ma ndryshe se sa prej ekranit”, ka thënë ajo.
Dijar Maliqi mendon që këtë herë ka më shumë forca të sigurisë, gjatë koncertit dhe se ai ka vendosur të vijë sepse ajo ka ardhur për herë të parë në Prishtinë pas suksesit të arritur.
“Kom vendos pse është për herë të parë në Prishtinë edhe pse është koncert humanitar ma shumë…besoj që po se ka ma shumë forca të sigurisë edhe është vendi ma i sigurt”, tha ai.
Por natyrisht nuk mund të mungonin as bashkatdhetarët tanë që kishin vendosur të bëheshin pjesë e koncertit të saj, gjatë pushimeve verore në Kosovë. Habil Alihu thotë se mburret me këtë shqiptare që po na prezanton në gjithë botën.
“Dua Lipa mburremi me të, me një shqiptare që na prezanton në krejt botën edhe e dyta pse është koncert humanitar gjithsesi, patjetër që ne kemi një mundësi me përkrah…na jetojmë në Austri edhe na u bo qejfi që pamë gjithë këtë siguri, na u dha mundësia me pas një kënaqësi si sonte, besoj edhe ishalla që sa ma shumë vijnë edhe e përkrahin këtë koncert humanitar”, tha ai.
Koncerti po vazhdon dhe pjesëmarrësit janë në pritje të performancës së Dua Lipës.