Arsim & Kulturë

Koncert i Ansamblit “Ilirida” në Shkup, “20 vjet me vallen shqipe”

Në vigjilie të festës së Flamurit shqiptar 28 Nëntori dhe Pavarësisë së Shqipërisë, dje në Shtëpinë e Armatës në Shkup, Ansambli i këngëve dhe valleve popullore “Ilirida” – Shkup me koncertin e titulluar “20 vjet me vallen shqipe” e shënoi njëvjetorin e themelimit të ansamblit si dhe 20-vjetorin e karrierës së valltarit dhe koreografit të saj, Ilir Loku.

Koncertin përpos valltarëve të ansamblit të cilët të pranishmëve u dhuruan program të pasur artistik e pasuruan edhe Ansambli Shkupi nga Shkupi, valltarët profesionistë nga ansambli Shota, Besnik Grajqevci dhe Feim Leka, grupi folklorik Rreth oxhakut, Adnan Kamberi, grupi Agim Bend, Severxhane Laçi, Arshik Miftari me grupin V-2, etj.

Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi me këtë rast e vlerësoi lartë punën e koreografit të ansamblit, Ilir Loku duke potencuar se Ansamblet tona janë ambasadorët më të denjë të kombit të cilat kultivojnë vlera të pastra shqipe.

Mirënjohje valltarëve të “Iliridës” të cilët i kanë mbi dhjetë vite karrierë për kontributin e tyre të veçantë, kultivimin dhe prezentimin e vlerave kombëtare u ndau kryetari i Ansamblit, Rufki Loku dhe Besnik Grajqevci, ish-koreografi Emin Gaxha ndërsa valltarëve kryesorë të ansamblit, Ilir Loku dhe Albana Loku mirënjohjet për kontributin e tyre ua ndau koreografi i mirënjohur me famë botërore, Fehmi Shaqiri.