Janë bërë dy muaj që kur ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për jetësimin e linjës së autobusëve Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe anasjelltas.
Mirëpo edhe pse u tha se linja do të funksionalizohet së shpejti, autobusët ende nuk kanë nisur të qarkullojnë për në aeroport.
Nga komuna e Prishtinës thonë se ende është duke u shqyrtuar orari mes zyrtarëve të Aeroportit dhe Trafikut Urban, në mënyrë që të përputhen oraret e qarkullimit në bazë të kërkesave të aeroportit.
Zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të jetësohet kjo linjë.
“Linja e re Prishtinë-Aeroport, është duke u hartuar orari mes aeroportit dhe Trafikut Urban në mënyrë që të shikohet se në çfarë orari të vendoset kjo linjë, varësisht prej kërkesave të aeroportit”, ka thënë Mullafazliu-Bejta për FaktePlus.
Ndërkaq nga Trafiku Urban kanë thënë se janë të gatshëm që t’i përgjigjen menjëherë kërkesave të aeroportit.
Kurse kryeshefi ekzekutiv i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj ka thënë për FaktePlus se kjo kompani është e gatshme të fillojë menjëherë të lëshojë për qarkullim linjën e re për aeroport.
“Komuna është në biseda me Ministrinë e Infrastrukturës dhe ne si Trafik Urban jemi të gatshëm që kurdo që Komuna të merr vendim të nisim autobusët. Ne i kemi autobusët, shoferët, konduktorët e mirëmbajtësit, pra kurdo që komuna e merr vendimin ne jemi në gjendje të fillojmë këtë linjë të re”, ka thënë Rexhepaj.
Ndryshe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, kanë pohuar se nuk do të shkojë më shumë se 3 euro bileta e autobusit nga Prishtina deri në Aeroport.
Brenda vitit 2018, Aeroportin e Prishtinës e kanë frekuentuar rreth 2 milionë pasagjerë./FaktePlus