Aktuale

Komuna e Prishtinës tregon kur vijnë edhe 21 autobusë të rinj

Mandati i parë i Shpend Ahmetit mund të jetë shënuar me një arritje kryesore, atë të sjelljes së autobusëve të verdhë. Të gjithë ata që mendonin se kjo është një e arritur e madhe, ju njoftojmë se akoma nuk është kryer as edhe kjo punë në Prishtinë. Kryeqytetit akoma nuk i kanë ardhur edhe 21 autobusë

Në dhjetor të vitit 2016, i pari i Prishtinës, kishte postuar në Facebook, njërin nga autobusët e verdhë nga fabrika, ndërsa kishte shkruar se do të vinin së shpejti.

“Foto nga fabrika. Taze prej furre. Coming soon…”, kishte shkruar Ahmeti, për të mos u ndalur asnjëherë duke i përmendur ata autobusë, para fushatës, gjatë fushatës, e deri në marrjen e mandatit të dytë.

Mirëpo, po bëhen gati dy vjet që nga koha e blerjes së 51 autobusëve nga kompania çeke “Iveco” e Komuna e Prishtinës po dështon të sjellë të gjithë autobusët e rinj të Trafikut Urban.

Gazeta Express ka kontaktuar të martën kryeshefin ekzekutiv të Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj, për të pyetur se pse akoma nuk kanë ardhur të gjithë autobusët.

Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm për vonesën e kontingjentit të dytë të autobusëve, megjithatë 21 autobusët e verdhë vijnë në fund të majit. Ndërsa, nuk ka dhënë arsyet e shtyrjes së ardhjes së tyre, duke thënë që ka marrë detyrën e tij vetëm nga marsi i këtij viti.

Siç ka treguar shefi i Trafikut Urban, fundit i majit është një tjetër afat mes shumë sosh që komuna i kishte përmendur për dy vjet për ardhjen e 21 nga 51 autobusët që u blenë 10 milionë euro nga komuna, me hua të marrë nga BERZH.

Nga kryetari i Prishtinës, që nga fillimi i vitit 2017, ishin përmendur dhjetëra afate kohore që do të vinte vala e dytë e autobusëve.

Ahmeti disa herë gjatë vitit të kaluar kishte deklaruar se autobusët do të vinë pasi të renovohen garazhet e Trafikut Urban. Tutje, sërish në rrjete sociale, gjatë shtatorit të kaluar, kishte postuar fotografi të garazheve të rinovuara, por megjithatë ato garazhe nuk u mbushën akoma me autobusët e premtuar që nga zgjedhjet e vitit 2013, ku Shpend Ahmeti e fitoi mandatin e parë.

Ndërsa ish-kryeshefi i Trafikut Urban, Halil Mustafa, thoshte se vonesa e ardhjes po bëhet pasi komuna nuk i kishte paratë për të paguar TVSH-në për ta.

E gjendja e transportit publik në kryeqytet nuk është ashtu siç kryetari i Prishtinës në ditët e mira të tij si përdorues i madh i Facbook-ut, e paraqiste në postimet e tij ku çdo ditë u shkruante autobusëve.

Në lagjen “Kodra e Trimave”, ardhja e autobusëve të verdhë vetëm sa e ka përkeqësuar udhëtimin e qytetarëve të kësaj pjese.

Ahmeti pak para se të niste fushata e zgjedhjeve lokale kishte provuar të kamuflonte dështimin – arritjen – për të sjellë autobusët në këtë lagje. Kështu ai kishte marrë tre ose katër autobusëve nga linjat tjera e i kishte dërguar në Kodrën e Trimave.

Autobusët e Trafikut Urban, bashkë me ata privatë dhe, po ashtu, me taksistët ilegalë nuk kanë asnjë orar, duke krijuar tollovi e transportit në këtë lagje. 30 autobusët e tjerë që komuna i kishte sjellë në mars të vitit të kaluar operojnë në linjë 1 dhe 4.