Aktuale

Komuna e Prishtinës: Rrugët në kryeqytet janë të kalueshme

Komuna e Prishtinës njofton qytetarët se ​aktualisht rrugët nëpër kryeqytet janë të kalueshme, si për vetura ashtu edhe për autobusë dhe për mjetet e tjera.

“Lusim që të keni  parasysh që në këtë mot të vështirë dhe me temperatura tepër të ulëta duhet të kemi shumë më shumë kujdes në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, duke shtuar se në këto temperatura as hedhja e kripës nuk ka kurrfarë efekti.

Komuna e Prishtinës u bënë  thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos ngasin makinat e tyre pa pajisjet adekuate dimërore, sepse në mungesë të pajisjeve të tilla mund të shkaktohen edhe rreziqe dhe vonesa në komunikacion.

“8 kompani po veprojnë gjatë gjithë kohës për pastrimin e rrugëve, 6 prej të cilave në qytet dhe 2 të tjera në fshatra. Angazhimi është maksimal, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës. Si rezultat i këtij angazhimi, është evidente që gjendja e rrugëve në Prishtinë është dukshëm më e mirë sesa nëpër magjistrale dhe në komuna të tjera.”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Komunës së Prishtinës./KosovaPress/