Aktuale

Komuna e Prishtinës rikthen mbi 50 punëtorë në vendet e tyre të punës

Komuna e Prishtinës, të hënën, ka hapur kuzhinën qendrore për përgatitjen e ushqimit të institucioneve parashkollore, me ç’rast ka rikthyer mbi 50 punëtorë në vendet e mëparshme të punës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kanë vendosur që kuzhinën qendrore ta kthejnë në institucion publik si dhe t’iu mundësojnë kontrata të përhershme pune punëtorëve të vjetër.Ofrimi i ushqimit cilësor për fëmijët, sipas Ahmetit, ka bërë që edhe çerdhet private të kërkojnë që të furnizohen me ushqim nga kuzhina qendrore e çerdheve publike.

Më tej, i pari i Prishtinës tha se çështja e ngelur pezull në mes të punëtorëve të kuzhinës qendrore dhe Ministrisë së Financave do të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur. E për të ofruar një zgjidhje sa më të mirë ai tha se kanë bërë kontrata të përhershme pune për ta.

Kryekuzhinierja Fatime Zogjani, tha se ndjehet e lumtur për siç tha ajo, vetëm komuna e Prishtinës u ka dalë krah që prej pasluftës në Kosovë.

Ndryshe, ky objekt ka qenë jashtë funksionimit, për shkak se administrata e kaluar kishte vendosur që ta privatizojë shërbimin e ushqimit për çerdhet, ndërsa kompania fituese ka përdorur një objekt tjetër./KosovaPress/