Aktuale

Komuna e Prishtinës reagon pas ndërrimit të flamurit kombëtar me atë të ‘ofsajdit’ (Foto)

Flamuri kombëtar i cili gjendej në rrethin kryesor në hyrje të Prishtinës, sot është ndërruar me një tjetër flamur.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, tha për Kohën se mëngjesin e sotëm kanë gjetur një flamur me ngjyra verdh dhe kuq, por kanë thënë se nuk e dinë autorin e kësaj vepre.

Ndërkohë që Periskopi pak më parë raportoi se ndërrimi i flamurit është vepër e artistit Driton Selmani.

Selmani, ka shkruar se ky flamur përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale.

Sipas tij, ai është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij.

Lexoni të plotë komunikatën:

ofsajd – mbiemër, ndajfolje / në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar; përpara topit në fillim të ose gjatë lojës

Të shtunën, më 27 janar 2018, flamuri kombëtar shqiptar i vendosur në vendin e quajtur “Te Rrethi” në hyrje të Prishtinës u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

Rreth flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë.

Red Tape është reflektim mbi mënyrën e përdorimit të flamujve si mjete për të prekur nervat kulturore, politike dhe sociale.

Ajo nuk ofron mendim apo thirrje për veprim; thjeshtë reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth.

Jo në çdo situatë flamujt ngritën për të shënuar fitore, triumf, ose arritje. Ata ngritën edhe për të shënuar dorëzim, humbje beteje ose pranim të fitores së tjetrit përballë individit ose shoqërisë. Flamujt shpesh bëhen edhe sinonime të humbjes së krenarisë, të besimit e optimizmit.

Sot në botë me vështirësi numërohen vende e popuj që nuk kanë përjetuar një gjendje të tillë dorëzimi.

Red Tape është në kërkim konstant të imazhit të së vërtetës, ku krenaria dhe optimizmi duket se mbyten në rrymat e “lojës”.

Si rezultat, flamuri vë në pikëpyetje realitetin rrethues dhe përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale: është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij.