Aktuale

Komuna e Klinës nuk ka kontratë me Institutin për kontrollin e cilësisë së ujit

Që nga muaji maj i vitit të kaluar qytetarët e Komunës së Klinës nuk kanë njohuri për kualitetin e ujit të pijshëm që rrjedh në çezmat e shtëpive të tyre

Megjithëse autoritetet përgjegjëse komunale kanë për obligim që publikisht t’i njoftojnë rregullisht qytetarët e saj për kualitetin e ujit që konsumojnë, kjo nuk po ndodh. Këtë çështje e ka ngritur edhe organizata joqeveritare KOHA e Klinës që monitoron punën e pushtetit lokal në Klinë, shkruan Koha Ditore.

Sipas kësaj organizate Komuna e Klinës nuk ka të publikuar asnjë dokument apo akt zyrtar përmes të cilit qytetarët njoftohen mbi cilësinë e ujit në territorin e Klinës, me përjashtim të analizave të publikuara në maj të vitit 2015, të cilat flasin për mostrat e marra vetëm pas filtrave të fabrikës së ujit në qytetin e Klinës.

Kjo OJQ ka bërë të ditur se Komuna e Klinës si përgjegjëse për mbrojtjen e interesit publik, do duhej të ishte në posedim të analizave të ujit të pijes për të gjithë territorin e Komunës së Klinës dhe që të njëjtat t’i bënte të qasshme për publikun duke komunikuar mirë dhe duke ruajtur shëndetin e qytetarit.