Rajon & Botë

Kompanitë e mëdha kundër urdhrit të Trumpit për ndalim të refugjatëve

Një grup i kompanive amerikane, përfshirë “Starbucks”, “Tesla” dhe “Uber”, kanë shprehur shqetësimet lidhur me urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump për pezullimin e pranimeve të refugjatëve dhe për ndalimin e hyrjes së qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë myslimane.

Kreu i “Starbucks” Howard Schultz, u shkroi dje punonjësve të kompanisë së tij me shqetësim të thellë dhe zemër të thyer lidhur me urdhrin e presidentit amerikan.

Schultz tha se do të punësojë 10 000 refugjatë në pesë vitet e ardhshme në bizneset e “Starbucks” në mbarë botën.

“Ne do të ndërmarrim këtë nismë në SHBA duke u fokusuar në punësimin e atyre individëve të cilët kanë shërbyer me trupat amerikane si përkthyes dhe ndihmëspersonel”, tha ai.

Kreu i “Tesla” Elon Musk shprehu shqetësimet ne tij në një postim në Twitter  për urdhrin e ri ekzekutiv të Trumpit.

“Ndalimi i hyrjes për qytetarët nga vende kryesisht myslimane nuk është mënyra më e mirë për të trajtuar sfidat e vendit”, shkruan Musk.

“Shumë persona të prekur negativisht nga kjo politikë janë mbështetës të fuqishëm të SHBA-së. Ata kanë bërë çdo gjë në rregull, nuk kanë gabuar dhe nuk meritojnë të refuzohen”, shtoi ai.

Travis Kalanick, shefi i “Uber” tha në një postim në Facebook që  kompania e tij do të mbështeste gjithë drejtuesit e saj, të cilët janë shtetas të vendeve të cituara në urdhër, por që aktualisht kanë mbetur jashtë SHBA-së për shkak të ndalimit të padrejtë të presidentit amerikan.

Jamie Dimon, kryetari i kompanisë së bankës më të madhe në Amerikë, JPMorgan Chase, u shpreh se punonjësit do të mbështeten nëse ata preken nga ky urdhër.

Dimon, Kalanick dhe Musk janë të gjithë anëtarë të Forumit Strategjik dhe të Politikave të Donald Trump, një grup biznesmenësh të mbledhur së bashku nga presidenti amerikan për ta këshilluar atë në politikën ekonomike.