Kompania turke minerare “Esaan” nga Turqia që është edhe njëri nga investitorët e parë dhe të mundshëm strategjik për Kosovën pas pesë vitesh eksploatime në vend sot ka prezantuar planin e saj për investime në Kosovë para një grupi ndërministror.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se kur përmendet sektori minerarë menjëherë i asocion me ndërmarrjen “Trepça”, por shtoi ai, në Kosovë ka mundësi edhe të tjera, raporton Ekonomia Online.“Para dy muajsh ka hyrë në fuqi Ligji për Investime Strategjike dhe me këtë ligj sektori minerar dhe sektor të tjerë kanë një dritare të re për investitorët që duan të investojnë këtu.
Normalisht që gjërat nuk kanë ecur ashtu siç kemi pritur në këtë sektor, por ne investitorët i shohim si mundësi për ta ngjallur atë. Normalisht gjithmonë duke i plotësuar tri kriteret kryesore: atë ekonomik, ambiental dhe mjedisor”, ka thënë Stavileci.
“Kompania e cila ka shfaqur interesim për investime në këtë sektor është sonte këtu dhe natyrisht që Ligji për Investime Strategjike e përcakton qartë se në cilat procedura duhet të kalohet, por ne kemi dashur që paraprakisht ta kemi një prezantim para këtij këshilli para pesë ministrive”, tha ai.