Komisioni Shtetëror ka publikuar përsëri të dhëna në lidhje me Demarkacionin duke insistuar se Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi të periudhës 1974-1988-2008-2015. Komisioni pretendon që vija kufitare me Malin e Zi është në përputhje të plotë me strategjite zhvillimire lokale të Komunës së Pejës dhe sipas një dokumenti zyrtar të Komunës së Pejës shihet se nuk bën pjesë Bjelluha, Çakori dhe Kulla.
Ja komunikata e plotë
Territori i Kosovës është i përbërë nga territoret e komunave dhe vija përkufizuese e Komunës është vijë administrative. Shuma e sipërfaqeve të komunave e përbëjnë sipërfaqen e përgjithshme të Kosovës. Vija administrative ndërmjet komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe komunave Plavë, Beran e Rozhajë të Malit të Zi ishin dhe janë njëkohësisht vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në gjithë periudhën 1974-2015. Kjo vijë administrative ka ngelur e pandryshuar, e pranuar dhe të administruara nga kryetarët e Komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës. Asnjë plan zhvillimor e strategjik i këtyre komunave nuk ka kaluar përtej vijës administrative të territorit të komunës. Në të gjitha dokumentet komunale si për vijën e kufirit dhe të sipërfaqes nuk ka ndryshim dhe nuk e kanë paraqitur as kryetarët e komunave të cekura më herët.
Planet zhvillimore lokale janë të vlefshme për territorin e Komunës.
Komuna e Pejës, të gjitha planet zhvillimore dhe të tjera i ka të planifikuara vetëm brenda kufirit administrativ në 70 zonat kadastrale të saj. Sipërfaqja e Komunës se Pejës me të gjitha zonat kadastrale, shkruan në dokumentet e planeve zhvillimore dhe strategjike është 603km2 Njëkohësisht, ky kufi i paraqitur në hartën poshtë ishte kufi administrativ ndërmjet Komunës së Pejës dhe Komunës së Plavës e Rozhajës të Malit të Zi. Vija administrative Kosovë-Mal i Zi, tani kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është identik me kufirin e shënuar nga komisioni shtetëror.
Komuna e Pejës ka përgatitur planin zhvillimor të quajtur “Strategjia Zhvillimore Lokale” në Mars të vitit 2009 nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës z. Ali Berisha. Projekti ishte i mbështetur nga BE-ja si shihet edhe logo në vazhdim. Kopja e këtij dokumenti zyrtar është i deponuar edhe në BE.
Kryetari i Komunës se Pejës z. Ali Berisha në faqe 2, për Strategjinë e Zhvillimit Lokal i falënderon mbështetësit dhe ekspertët dhe këtë strategji e quan “…dokument të rëndësisë së veçantë” për Komunën e Pejës.
Shih në vijim fjalën e Kryetarit nga faqe 2 e Strategjisë të Zhvillimit Lokal, (citim) “Në këtë kontekst kam kënaqësinë t`iu përgëzoj për punën që keni bërë në përgatitjen e, duke shfrytëzuar rastin këtu të falënderoj si mbështetjen financiare të Komisionit Evropian ashtu edhe implementuesin e këtij projekti, BDPA-në”.
“Edhe një herë, iu përgëzoj për përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësie të veçantë për Komunën e Pejës, i cili trason një rrugë me rëndësi por, njëkohësisht, shumë sfidues për Komunën e Pejës. Me këtë rast nga ana e ime dhe e stafit tim, zotohem se do të ekzistojë në vazhdimësi mbështetje institucionale për arritje të objektivave të kësaj strategjie”.
Deklarata e kryetarit të Komunës se Pejës është bashkëngjitur në vijim, së bashku me kopertinën e Strategjisë zhvillimore lokale e vitit 2009 Pejë.
Në këtë projekt shumë qartë janë dy gjëra.
E para në faqe 22, kapitulli 3.1 Pasqyrë e shkurtër e Komunës së Pejës, Zona dhe Popullsia (citim)
“Qyteti i Pejës gjendet në qendër të pjesës më perëndimore të Kosovës, rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna‟ që ngritën mbi Grykën e Rugovës. Komuna e Pejës është e ndarë në 27 bashkësi territoriale që përfshijnë gjithsej 76 fshatra. Komuna përfshin 603 km² me një popullsi prej rreth 160.000 banorë”.
Nëse Komuna e Pejës do të kishte humbur territor siç pretendohen 82 km2 tani Komuna e Pejës do t’i kishte 521 km2 , ndërsa nëse i bashkohen 82 km2 që pretendohen, Komuna e Pejës do t’i kishte 685 km2. Natyrisht, edhe Republika e Kosovës do t’i kishte 10988 km2. Kosova këtë sipërfaqe nuk e kishte asnjëherë.
E dyta, në faqe 23, çështje e rëndësishme në këtë Strategji zhvillimore lokale 2009 është harta e Pejës e që ndërlidhet drejtpërdrejti me vijën kufitare ndërmjet Komunës së Pejës, Republika e Kosovës dhe Komunës se Plavës e Malit të Zi.
Në këtë hartë shihet kufiri i komunës, kufiri i Krahinës dhe kufiri ndërkombëtar ashtu siç është shënuar në legjendën e kësaj hartë (cepi i djathtë lartë në hartë). Harta e këtij dokumenti zyrtar nga Komuna e Pejës është pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën.
Harta zyrtare e Pejës e paraqitur në projektet e strategjive për zhvillim ekonomik si është “Strategjia Zhvillimore Lokale” ka edhe kufirin e Komunës se Pejës, natyrisht kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është pa asnjë ndryshim në periudhën 1974-1988-2008-2015.
Në përpilimin e kësaj Strategjie për Zhvillim Lokal të Pejës ishin të angazhuar mbi 50 ekspertë nga stafi i Komunës se Pejës dhe të tjerë për qëllime të ndryshme profesionale.
A është e mundur që në vitin 2009, kryetari i Komunës se Pejës, z. Berisha të jetë aq i entuziazmuar me strategjinë apo dokumentin e veçantë, dhe me mbi 50 ekspertë të angazhuar dhe fare nuk e kishte në strategji Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën?
Prapë shtrohet pyetja, a thua gjithë këta ekspertë lokal dhe dy (2) ish kryetarët e Komunës së Pejës, z. Ali Lajçi dhe z. Ali Berisha që i përpiluan dhe i aprovuan dokumentet zyrtare e strategjitë zhvillimore të Komunës se Pejës, të cilët i quajtën “…dokument të rëndësisë së veçantë”, pse e lanë jashtë dhe nuk parapanë që ta zhvillojnë Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën??!!
Komuna e Pejës në fund të vitit 2009, kishte filluar zbatimin e një projekti digjital të quajtur GIS kabineti. Në këtë web faqe paraqitet edhe harta e Komunës se Pejës me të gjitha 70 zonat kadastrale. Kjo hartë e web–GIS të Pejës e ka të njëjtën vijë të kufirit nga viti 1974-1988-2008-2015. Kjo nënkupton se vija përkufizuese e Komunës se Pejës, Kosovës me Malin e Zi, është e njëjtë me atë që është shënuar nga Komisioni shtetëror.
Ndoshta edhe ish kryetari z. Ali Berisha, sikurse ish paraardhësi i tij z. Ali Lajçi e kanë lënë që Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën ta vendosin në strategjinë e radhës pas viti 2025 sikurse të plani zhvillimor 2006-2025.
Kjo tregon, se ish kryetarët e Komunës se Pejës, z. Lajçi, z. Berisha dhe kryetari aktual z. Muhaxheri e kanë të qartë se kanë administruar e qeverisur me Komunën e Pejës me sipërfaqe 603km2 me 70 zona kadastrale. Duke e ditur se janë të regjistruara pronat private, shtetërore, publike, fetare, atëherë Komuna e Pejës nuk përfshin territor tjetër. Mos të krijohet huti sepse ligjërisht është e ditur që nuk ka territor shtetëror jashtë komunave sepse territorin e Kosovës e përbëjnë 38 komuna me zonat e tyre kadastrale.
Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi të periudhës 1974-1988-2008-2015. Me këtë konfirmohet se Komisioni shtetëror nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Komunës se Pejës që ajo e kishte, përkatësisht nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Republikës së Kosovës.