Komisioni për Punë të Jashtme me shumicë votash ka rekomanduar që projektligji për demarkacionin me Malin e Zi të shqyrtohet në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Visar Ymeri i Vetëvendosjes në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, ka paralajmëruar se partia e tij do të votojë kundër demarkacionit, derisa ka shtuar se publiku po gënjehet se do të bëhen përmirësime në marrëveshjen aktuale me Malin e Zi.
“Kjo marrëveshje në këtë formë nuk duhet t’i dorëzohet Kuvendit sepse vazhdohet iluzioni se do të ketë përmirësime. Po dëshmohet se ka humbur territor por po gënjehet publiku se po bëhen përmirësimet. Nuk ka kurrfarë obligimi ligjor përderisa nuk e ndryshon pala tjetër. Korrektime ka gjithmonë por jo aq i madh për ta kthyer atë sasi toke që është dëshmuar se i takon Malit të Zi. Ne do të votojmë kundër dhe nuk do duhej t’i paraqitej Kuvendit”, ka thënë Ymeri.
AAK-ja që para se të hynte në qeveri ka qenë kundër demarkacionit aktual me Malin e Zi, ka thënë se duhet përkrahur ky version në seancën e së enjtes.
“S’ka qenë e lehtë për Malin e Zi të nënshkruajë deklaratë për korrektimin e kufirit. Nëse kjo marrëveshje kishte ardhur pa këto dokumente- deklarata dhe raportin e Bulliqit do të ishim kundër. Është bërë punë e mirë dhe duhet ta përkrahim”, ka thënë Time Kadriaj nga AAK-ja.
Elmi Reçica nga PDK-ja ka thënë se beteja për demarkacionin ka qenë betejë argumentesh shkencore dhe sipas tij, deklarata e përbashkët e presidentëve ofron mundësinë që të ketë korrigjime.
“Të sigurohen argumentet e duhura për atë që konsiderohet territor i Kosovës. Qytetarët kanë bindje se do të kalojë, dhe të plotësohet kushti për liberalizim të vizave. Ka qenë dhe ka mbetur edhe kauzë politike, por për interesin qytetar duhet të veprojmë.