Arsim & Kulturë

Në Ditën Botërore të Librit, Kolegji AAB themelon Çmimin “Masar Stavileci”

Për nder të “23 Prillit” – Ditës Ndërkombëtare të Librit, Kolegji AAB organizoi sot disa aktivitete. Në kuadër të kësaj ditë, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në bazë të statutit të këtij institucioni, ka themeluar çmimin “Masar Stavileci”, i cili u ndahet studentëve të fakulteteve të ndryshme të Kolegjit AAB me këtë motivacion “Për shfrytëzim të rregullt të shërbimeve në bibliotekën universitare të Kolegjit AAB”.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se këtë çmim e ka themeluar për ta nderuar Ditën e Librit dhe se me çdo “23 Prill”, do t’u jepet lexuesve të dalluar në bibliotekën e Kolegjit AAB.

“Profesor Masari ka qenë koleg i yni, mik i yni, profesor i yni, rektor i parë i këtij kolegji, prandaj arsye për të qenë të emocionuar kemi të gjithë, edhe familja edhe studentët edhe profesoret, në veçanti edhe unë pasi që tani jam rektor dhe profesor Stavileci ka qenë rektor i parë i këtij institucioni. Përveç kësaj ne kemi pasur fatin e madh që të jemi edhe miq të afërt të profesorit Masar Stavileci dhe ai vazhdimisht thoshte ‘Mua më tepër më pëlqen të lexoj se sa të shkruaj”, edhe pse ai njihet edhe si autor, sidomos do të mbahet në mend për përkthimin që unë do ta quaja briliant të “Neverisë së Statrit” nga gjuha frenge, por ai gjithmon thoshte se “Mua më pëlqen të lexoj”, prandaj jo rastësisht kemi zgjedhur që për ditën e leximit, ditën e librit të shpërblejmë lexuesin”, tha rektori Tafa.

Ndërsa, Blerand Stavileci, i biri i profesorit të ndjerë Masar Stavileci, emrin e të cilit e mban ky çmim, tha se ndihet shumë i emocionuar edhe i nderuar si familje që një ditë kaq të veçantë, Ditën Botërore të Librit, keni përzgjedhur pra që ta mbajë emrin babait të tij.

“Ndihemi të emocionuar, natyrisht edhe shumë të nderuar si familje që një ditë kaq të veçantë, Ditën Botërore të Librit, keni përzgjedhur pra që ta mbajë emrin e ish profesorit të këtij kolegji, prindit tonë, bashkëshortit , sepse sot për pos që është dita e Librit, poashtu edhe nëna e ka ditëlindjen dhe më vjen shumë mirë që prof. Lulzim Tafa e të tjerët u ka ra ndërmend dhe kanë zgjedhur pikërisht librin sepse më të vërtetë, babi e kishte librin mikun më të mirë, jetonte për për të, çdo gjë sillej rreth librit për librin dhe me librin”.

Ai tha se shumë më shumë unë ndihet i nderuar dhe i vjen mirë që për librin dhe atë që babai i tij gjatë gjithë jetës ka krijuar.

“Gjithmonë kjo datë dhe ky çmim i çmuar i Kolegjit AAB të asociojë me personalitetin por do të thosha edhe me karakterin e profesorit tuaj dhe prindit, bashkëshorit tonë”, tha Blerand Stavileci.

Ai në këtë takim përgëzoi Kolegjin AAB për objektin ultramodern, të cilin e quan kryevepër të artit dhe arsimit në Republikën e Kosovës.

“Nuk ka shumë ditë që kaloja andej në lagjën “Bregu i Diellit” ku me kujtohet shumë mirë ku pati nisur inciativa dhe për herë të parë pat qenë vendosur kolegji në atë kohë i quajtuar si AAB, besoj që të gjithë e dini që është akronim i “Akademia e Arteve të Bukura”. Më të vërtetë, nëse e bëjmë një krahasim të asaj ideje shumë të bukur që ka pati nisur në atë kohë dhe të kësaj që e shohim sot, është unë bashkë me nënën dhe motren e kam parë një pjesë të objektit, por nuk kam mundur ta shoh të tërin, por sot pash një pjesë bukur të madhe të tij , më të vërtetë është jo një vepër por do të thosha një kryevepër artistike, arsimore në Republikën e Kosovës”, tha Stavileci.

Në këtë takim, fjalë rasti mbajti edhe ish ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili në fjalën e tij e falënderoi Kolegjin AAB për themelimin e çmimit “Masar Stavileci”.

“Le të jetë ky një kujtim për profesor Masar Stavilecin, i cili aq shumë e dashti librin, aq shumë e dashti punën e tij të profesorit me shumë devotshmëri dhe aq shumë i dha Kosovës duke nxjerrë me dhjetra gjenerata të studentëve të tij që padyshim që janë edukuar nga ai dhe sot kanë për detyrë që ta çojnë misionin jo vetëm të leximit, por edhe të ngritjes së përgjitshme akademike”, tha Bajrami.

Çmimin “Masar Stavileci” për sivjetë e fituan pesë studentët të Kolegjit AAB, studentët: Arbër Paçarizi, Besarta Palushi, Besnik Salihi, Fikrete Shala – Mjeku dhe Gresa Sekiraqa.

Ky çmim do të vazhdojë t’u jepet studentëve që janë lexues të rregullt në bibliotekën e Kolegjit AAB në të trija kampuset edhe në vitet e ardshme, në Ditën Botërore të Librit më “23 Prill”. /Gazeta KNN