Arsim & Kulturë

Kolegji AAB shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit

Për nderë të “23 Prillit” – Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze, Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe Biblioteka Universitare e Kolegjit AAB, organizuan aktivitete për shënimin e tyre.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij vlerësoi këtë aktivitet duke shtuar se çdo ditë ne jetojmë me librin, dhe sipas tij këtë ditë do duhej ta quajmë ndryshe, për ta dalluar nga ditët e tjera.

“Çdo ditë është dita e librit sepse ne jetojmë me librin, prandaj ndoshta do të ishte më mirë që këtë ditë ta quajmë kryeditë e librit apo dita e madhe e librit që ta dallojmë prej ditëve të zakonshme “, u shpreh rektori Tafa.

Në kuadër të kësaj dite, rektori Lulzim Tafa, tha se në shenjë nderimi për profesorin tashmë të ndjerë, Masar Stavileci, ka themeluar edhe çmimin me emrin e tij, për t’i nderuar studentët më të rregullt.

“Ne e kemi themeluar çmimin për lexuesin më të rregullt apo më të mirë të bibliotekës, çmimi që e mban emrin “Masar Stavileci”, i cili për ata që nuk e dinë ka qenë edhe rektori i parë i Kolegjit AAB”, tha ai.

Dhe, me këtë rast, Biblioteka Universitare e Kolegjit AAB ndau mirënjohje dhe nga një komplet librash për pesë studentët të Kolegjit AAB: Shpresa Agushi, Arbnor Grabanica, Blerta Neziri, Egzona Krasniqi, Fitore Krasniqi.

Ndërsa për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze, studentët të Fakultetit të Gjuhës Angleze u paraqitën me monolog e poezi të autorëve si: William Shakespeare, Charles Bukowski, etj./GazetaKNN/