Arsim & Kulturë

Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi më Institutin ISSAT

Me një ceremoni rasti AAB Teatrin “Faruk Begolli”, Kolegji AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Studime Strategjike dhe Trajnime ISSAT nga Tirana.

Me këtë rast, zëvendës-rektori i Kolegjit AAB, Shpemsedin Vehapi, tha se ky bashkëpunim dhe trajnimi i cili sot ofrohet për studentët e infermierisë, por edhe studentët e programeve të tjera studimore në Kolegjin AAB është në përputhshmëri të plotë me konceptet zhvillimore të cilat ofrohen në këtë institucion të arsimit të lartë.

“Duke zhvilluar partneritete të tilla, AAB vazhdon të fuqizojë rolin e vet të rëndësishëm në mesin e komunitetit akademik, duke i ofruar tregut të punës kuadro të kualifikuara dhe kompetent për t’u përballur me nevojat dhe sfidat që parashtrohen para tyre. Ne e kuptojmë shumë seriozisht rëndësinë që e ka edukimi cilësor dhe sa e rëndësishme është që kualifikimet të jenë të ndërlidhura me zhvillimin e shkathtësive dhe aftësive për punë. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm që sistemi shëndetësor është duke u përballur me sfida të ndryshme që shpesh lidhen me cilësinë e kujdesit shëndetësor. Një ndër faktorët e shumtë që kontribuojnë në cilësinë e shërbimeve, ka të bëjë me kompetencat e personelit shëndetësor ku rol të rëndësishëm luajnë edhe vet infermierët. Faktor kyç në avancimin e këtyre kompetencave është edhe ngritja dhe funksionimi i sistemit të edukimit të vazhdueshëm të punonjësve në shëndetësi”, theksoi zv.rektori Vehapi.

Ai tha se në këtë këndvështrim, trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm mjekësor paraqet element kyç në përgatitjen e infermierëve, të cilët do t’i implementojnë praktikat e specializuara të infermierisë.

“ Ky trajnim dhe trajnimet e ardhshme, fryt i bashkëpunimit mes dy institucioneve do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të njohurive dhe shkathtësive me qëllim të avancimit të nevojave shëndetësore të popullatës gjatë gjithë ciklit jetësor”, tha zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, këtë marrëveshje bashkëpunimi mes Kolegjit AAB dhe Institutit ISSAT e vlerësoi si shumë të nevojshme për të plotësuar nevojat për avancimin e shendetësisë ne vend.

“Është kënaqësi e veçantë kur të jepet rasti të marrësh pjesë në një inaugurim të një bashkëpunimi të tillë mes Kolegjit AAB dhe Institutit ISSAT, që gjithsesi shkon drejt edhe implementimit të politikave që Ministria e Shëndetësisë, që kjo po i lanson dhe po i përkrahë kohëve të fundit”, u shpreh ministri Rrahmani.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar që të krijojë mundësi të reja, për të gjithë ata që duan të kapin dije të reja, për të gjithë ata që duan të perfeksionohen në punën e tyre, pasi që sipas ministrit Rrahmani, Kosova ka nevojë për dije më shumë, ka nevojë për shërbime cilësore shëndetësore.

“Kosova ka një rini e cila ka vullnet dhe është e aftë të zë të gjitha hapat me kolegët dhe bashkëmoshatarët e vet anë e mbanë Evropës”, theksoi ministri i MSH, Imet Rrahmani.

Këtë marrëveshje e përshendeti edhe zëvendësministërja Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, Nora Malaj, e cila tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, të dy institucionet si motra tregojnë se munden të arrijnë standardet ndërkombëtare profesionale në fushën e shëndetësisë.

“Ndaj këtë gëzim së bashku me ju duke nënshkruar një nga marrëveshjet më të bukura në rrugëtimin e standardit të nevojës që kemi të gjithë bashkë, për të kuptuar që të dy institucionet si motra me një vizion të përbashkët, me një qasje tashmë ndërkombëtare, me një standard të rrugëtimit të të dyja vendeve së bashku, prej 12 vitesh e më shumë, sot nënshkruajnë marrëveshjen, duke ju dhënë bekimin, jo vetëm në rrugëtimin e tyre, por duke kuptuar se, nëse të gjithë së bashku operojmë dhe ndërtojmë standardin për një kualifikim ndërkombëtarë të standardizuar, ne mund të realizojmë produktin që të gjithë së bashku e kërkojmë”, u shpreh zv ministrja e arsimit në MSH të Shqipërisë, Nora Malaj.

Edhe kryetari i bordit për licensim në MSH, Hysni Bajramaj në fjalën e tij e përshëndeti këtë marrëveshje të cilën e quajti me interes të dyanshëm nga të dyja palët nënshkruese të saj.

“Të kesh Institutin ISSAT këtu është një privilegj shumë e madhe, por edhe ISSAT të ketë një bashkëpunëtor siç është Kolegji AAB, më të vërtetë është një privilegj i jashtëzakonshëm”, vlerësoi Bajramaj.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Institutit ISSAT, Ilda Mejdani, këtë marrëveshje e quajti si një shtrirje më të gjerë të plotësimit të misionit të institutit që ajo drejton.

“Ndihem e privilegjuar të jem sot këtu para të gjithëve për t’ju prezantuar me një mision shumë të rëndësishëm të Institutit ISSAT në Kosovë. Them mision sepse ajo që ne kemi realizuar në gjithë këto vite është vërtetë domethënëse dhe meriton të quhet mision për vetë përkushtimin dhe arritjet reale në fushën e kualifikimeve për profesionistët e shëndetësisë. Do të doja të ndalesha në mënyrë të veçantë në kontributin e Institutit ISSAT në Shqipëri për sa i përket gjithë përfshirjes së standardeve ndërkombëtare si në kurrikulat, ashtu edhe në lektorët ndërkombëtarë. Janë lektorë të afirmuar, ekspertë të mirëfilltë, me të cilët, sigurisht që ne do të ndajmë edhe me profesionistët e shëndetësisë këtu në Kosovë”, tha drejtoresha Mejdani.

Edhe presidenti i Institutit ISSAT, Jorge Jeha, e vlerësi arritje këtë marrëveshje me Kolegjin AAB, duke premtuar për implementimin e saj në mënyrë sa më të suksesshme.

Bashkëpunimi mes Kolegjit AAB dhe Institutit ISSAT, në qendër të veprimtarisë së këtij partneriteti ka zhvillimin e trajnimeve profesionale në fushën e shëndetësisë, specifikisht në fushën e edukimit të vazhdueshëm mjekësor.

Kolegji AAB përmes këtij partneriteti me Institutin për Studime Strategjike dhe Trajnime ISSAT, ka për qëllim që përmes trajnimeve të profesionistëve shëndetësor të krijojë parakushte profesionale për ngritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor ndaj pacientit, duke qenë në koherencë me informacionet dhe trendët më të reja përkitazi me kujdesin shëndetësor. /GazetaKNN