Arsim & Kulturë

Kolegji AAB inaguroi objektin e tetë modern, rektori Tafa: Me këto hapësira, i konkurrojmë çdo universiteti në botë

Në praninë e studentëve, profesorëve, përfaqësuesve të institucioneve qeveritare dhe shumë mysafirvë të tjerë, sot Kolegji AAB bëri inaugurimin e objektit të tetë ultramodern, i cili ka standardet më të larta jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon e më gjerë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se ndihet i lumtur që përurimin e godinës së tetë të këtij kolegji e ndërtuar me standardet më të larta të ndertimit, po e bëjnë në 17 vjetorin e themelimit të AAB-së.

“Këtu e 17 vjet më parë, ne e filluam punën me 52 studentë dhe 300m2 hapsira mësimore. Për 17 vite me radhë, AAB u rrit çdo vit, u rritë me studentë, u rritë me profesorë, u rritë me hapësira, u rritë me emër. Sot AAB është institucioni më i madh jo publik, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, tha ai.

Rektori Tafa, në fjalën e tij foli edhe për vlerësimin që i është bërë Kolegjit AAB nga organizata më e njohur në botë për rangimin e universiteteve, Webometrics.

“Në ranglistën e fundit të publikuar nga Webometrics, organizata më e njohur në botë për rangimin universitar, që i përfshinë edhe universitet e Kosovës dhe rajonit tonë, së bashku me Universitetin e Prishtinës, Kolegji AAB ka bërë një shkeputje të madhe, duke i lënë mbrapa të gjitha universitet e tjera publike e private në Kosovë dhe më gjerë. AAB sot është sinonim i dijes, suksesit dhe cilësisë”, tha ai.

“Ju them me përgjegjësi të plotë se me këto hapësira, ne i konkurrojmë çdo universiteti në botë, andaj ju mbetet Ju studentë e profesorë që të jeni sa më të përkushtuar në punë e cilësi, në mënyrë që ne të ngritemi edhe më lartë në ranglisten botërore të universitetve. Mundesitë dhe kushtet i kemi. Dituria dhe fuqia njerëzore janë sinonime thoshte Bakoni. Ne kemi zgjedhur arsimin si fushë për të investuar, ngase investimi në dituri paguan interesin më të mirë, thoshte dikur Benjamin Franklini”, theksoi rektori Tafa.

Ai tha se, sa herë rritet AAB-ja dhe behet më e madhe, atij i pëlqen që të citojë ish-presidentin e SHBA-ve, Abraham Linkolnin, kur ai thoshte se “Amerika është e madhe sepse është e mirë”, e më këtë citat rektori Tafa tha se ” edhe AAB është e madhe sepse është e mirë, por ai (Abraham Linkolnin) porosiste se ne duhet që të punojmë shumë që të jemi gjithmonë të mirë, sepse vetëm duke qenë të mirë ne e ruajmë madheshtinë tonë”.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, me të cilën Kolegji AAB ka partneritet të ngushtë, në fjalën e tij tha se, si anëtar i këshillit drejtues të këtij kolegji, ka parë një përkushtim të jashtëzakonshëm të menaxhmentit, që krahas ruajtjes së nivelit më të lartë të cilësisë së edukimit, brenda këtij institucioni të dijës dhe shkencës, të ketë edhe përmirësim të vazhdueshëm të hapësirave fizike.

“Dëshiroj që brenda këtij institucioni të dijës dhe shkencës, të shohim sa më shumë shkencëtarë të rinj, mësimdhënës të rinj, profesionistë të mediave, e të secilës fushë tjetër, dhe ajo që është më ë rëndësishmja, dëshiroj që nga ky institucion, të gjithë ata që hyjnë e dalin prej tij, të tregojnë më tepër dashuri më të madhe për atëdheun, për çka ne të gjithë kemi nevojë sot”, u shpreh Zeka.

Në këtë ceremoni inaugurimi, fjalën e mori edhe kryetarja e unionit të studentëve të Kosovës, Krenare Çerkini, e cila në fjalën e saj i uroi studentët e AAB-së për këtë objekt të ri modern, duke u thënë se janë vetë ata që do të përfitojnë më së shumëti nga ky institucion i dijes dhe i suksesit.

Falë përshëndetëse në këtë ceremoni mori edhe ish-studenti i këtij kolegji, e më vonë edhe asistent, ndërsa tani person me ndikim edhe në politikë, zv.ministri i MASHT, Arbër Geci, i cili në fjalëne tij tha se se për secilin hap të suksesit tim, meritor ka qenë Kolegji AAB.

“Një ditë, në vitin 2003, edhe unë kam qenë studentë në AAB, ashtu si jeni edhe ju tani. Sot po ju drejtohem prej jne funksioni zyrtar, institucional. Dua të ju them se për secilin hap të suksesit tim, meritor ka qenë Kolegji AAB dhe stafi akademik, i cili na kanë qëndru afër jo vetëm për të na përgaditur për sfidat të cilat i kemi pasur, por edhe për referenca për t’u punësuar e për të ecur përpara. Zgjerimi i objekete të AAB-së tregon më së miri se AAB nuk ka vetëm hapësira, por ka edhe cilësi, sepse është cilësia ajo që na ka bashkuar, na ka rritur numrin e studentëve, na ka bërë bashkë sot, për të ecur përpara drejtë sfidave të reja”, tha zv,ministri i MASHT, Arbër Geci.

Në këtë ceremoni inaugurimi pati edhe disa pika artistike, ku përformoi me dy këngë tenori Liridon Sadria, nën përcjelljen me piano të mjeshtres së madhe, Elizabeta Qarri. /Gazeta KNN