Në Kolegjin AAB u mbajt një tryezë debati për fenomenin “Brain-Drain”, që ndryshe njihet si “Ikja e trurit”. “Brain-Drain” i referohet humbjes që pëson vendi nga emigracioni i kapitalit njerëzor me shkollim universitar bashkë me mungesën e njëkohëshme të inovacionit në tregun e punës.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se kjo temë është mjaft e rëndësishme sidomos për vendin tonë, i cili po kalon nëpër një fazë transicioni, por që sipas tij, tashmë realisht mund të pritet progres i rëndësishëm në shumë aspekte të integrimeve europiane.
“Strategjia e re për zgjerim e Bashkimit Europian e përfshinë edhe Kosovën në planet e veta, ndërkaq, në anën tjetër, duket se këtë vit po hapet rruga e liberalizimit të vizave edhe për vendin tonë”, tha ai.
Rektori Tafa, duke folur për rëndësinë e kësaj tryeze të cilën e ka organizuar Fakulteti, tha se Kolegji AAB është duke punuar intensivisht për të shtuar mobilitetin e forcës kosovare të punës.
“Ne jemi për një mobilitet dinjitoz të njerëzve të Kosovës në tregun europian të punës. Kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet personave me kualifikime cilësore, relevante dhe në përputhje me standardet europiane. Ne jemi duke punuar që njerëzit tanë të jenë forcë atraktive punuese këtu në Kosovë – jo meodemos në Europë. Ne jemi duke punuar që kualifikimet që ofron AAB të ndihmojnë para së gjithash në nxitjen e investimeve të jashtme jo për ikjen e personave të kualifikuar jashtë vendit”, tha rektori Tafa.
Sipas tij, që kjo të ndodhë, është e domosdoshme që edhe shteti i Kosovës të sjellë politika ekonomike e fiskale që lehtësojnë investimet e jashtme, të luftojë korrupsionin, dhe të përkrahë institucionet e arsimit e të aftësimit që ofrojnë programe relevante e cilësore.
“Ne në AAB kemi bërë diversifikimin programor e institucional, duke hapur programe të reja studimi e duke themeluar institute e shkolla që ofrojnë kualifikime të shpejta e cilësore të standardeve europiane – për kompani europiane por, në vendin tonë. Po ashtu ne kujdesemi që studentëve tonë t’ju ofrojmë përgatitjen më të mirë dhe njëkohësisht përmes bashkëpunimit me institucionet e vendeve Europiane realizojmë edhe shkëmbimet akademike afatshkurta, zakonisht një semestrale, për një pjesë të konsiderueshme të studentëve”, theksoi rektori Tafa, ku shtoi se krejt kjo bëhet me qëllim që studentët tonë të marrin përvojat më të mira nga vendet ku shkojnë dhe të njëjtat t’i lidhin me kompetencat të cilat ju nevojiten për të krijuar karrierë të suksesshme në Kosovë.
Ndërsa, akademik Abdylmenaf Bexheti, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Maqedoni, në fjalën e tij shpjegoi disa aspekte të trajtimit global të fenomenit “Brain-Drain”, ku nënvizoi disa informacione, të cilat sipas tij janë brengë e OKB-së.
Ai tha se vendet që janë më pak të zhvilluara, janë burim i thithjes së trurit nga vendet të cilat janë në përndjekje të zhvillimit.
Duke folur për shkaqet që e shkaktojnë këtë fenomen, Bexheti tha se të gjitha studimet dhe analizat që i kanë bërë studiues të fushës, nënvizojnë dhe nuk kontestojnë arsyen që është ajo ekonomike, por sipas akademik Bexhetit, ekzistojnë edhe diçka përtej ekonomisë.
“Në shkaqet jo-ekonomike ky fenomen i referohet debatimit të sistemit të vlerave në përgjithësi, që është çështje shumë komplekse. Në këtë komponentë do të nënvizoja ndërtimin dhe përspektivën e karrierës”, tha akademik Abdylmenaf Bexheti nga UEJL.
Ndërsa, prof. Stefan Qirici, duke folur për fenomenin “Brain Drain” në Shqipëri, tha se në vitin 2017 kishte përmasa shqetësuese, ku një numër i madh i studentëve pas përfundimit të maturës kërkuan të migrojnë në vendet tjera.
“Kohët e fundit lexova një statistikë nga Instituti i Statistikave për rajonin dhe ishte për treguesin që disa maturant pasi përfundojnë studimet e maturës, shkojnë për të studiuar jashtë shtetit, u befasova kur pashë se vetëm në Shqipëri në vitin 2017, jashtë shtetit kishin shkuar 25.553 maturantë, që i bie më shumë së gjysma e maturantëve në Shqiptari. Kjo është një shifër alarmante që na bën ti vendosim gishtin kokës”, tha Qirici.
Në këtë tryezë foli edhe ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili në fjalën e tij tha se parakushti kryesor që një ekonomi të ketë një shkallë më të lartë të punësimit është rritja ekonomike.
“Kosova viteve të fundit ka pasur një rritje ekonomike pozitive, ku mesatarja ka qenë 3 deri në 4% . Mirëpo a është e mjaftueshme kjo rritje ekonomike që ti absorbojë të gjithë të rinjët, nuk është. Për t’u adresuar ky problem, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike prej 6 deri në 8 %”, tha ministri Hamza.
Ai porositi studentët që të mos ta shikojnë vetëm sektorin publikë për punë, sepse sipas tij, pjesa e madhe e të punësuarve janë në sektore private dhe se Kosova është një vend me treg të lirë ku sektori privat është bartës i rritjes ekonomike.
Fjalën në këtë tryezë e morën edhe dekani i Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB, Shaip Bytyqi si dhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Në kuadër të kësaj tryeze u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje, të cilave iu përgjigjen penalistët e lartpërmendur. /Gazeta KNN